Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, thotë se do të jetë përballë Edi Ramës në seancën ku kryeministri është ftuar të dëshmojë për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Ai kërkon që seanca të jetë e hapur, ndërsa fton mediat kombëtare dhe ato të huaja të jenë prezente në të.

Në reagimin e parë pas thirrjes së Edi Ramës nga GJKKO-ja si dëshmitar në gjyqin për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ku i pandehur është edhe vetë ai, Sali Berisha e sfidoi kundërshtarin e tij politik duke kërkuar përballje publike.

“Do jemi ballë përballë aty dhe i thoni të bëhet burrë, të mos kërkojë seancë pa mediat, të kërkojë mediat aty kombëtare dhe ndërkombëtare dhe të vijnë të shohin shqiptarët se cili është Edi Rama në atë aferë. Ka mbi 12 firma, në shkelje flagrante të ligjeve ka ndërruar destinacionin pa u kthyer prona tek pronari, pa kërkesën e pronarëve fare në vitin 2006, për ta shndërruar në zonë urbanistike. Ia kishte vënë syrin si tokës së askujt bashkë me Olsin e tij dhe me një futbollist. Ishte bërë një treshe që donte të ndërtonte aty parajsën e tij”.

Akuzat ndaj qeverisë i vijoi edhe brenda në seancë plenare, ku foli për hetimin dyvjeçar të Prokurorisë së Tiranës në bashkëpunim me autoritete austriake që goditën 3 call-centera në kryeqytet.

“Përfshihet nga shefi i komisariatit që merr rrogën minimale 5 mijë euro në muaj nga call-centera, tek vëllai i kryeministrit që është de facto, sipas burimeve të huaja dhe vetë vendit, bosi kryesor i tyre.”

Në replika u përfshi edhe me Ministrin e Bujqësisë për çështjen e subvencioneve dhe çmimit të naftës.

“Më gjeni një vend të vetëm në BE që nuk subvencionon naftën, përkundrazi asnjë”, tha Berisha.

“Kemi dhënë 100 milionë për fermerët, është një skemë që e kemi përafruar me BE-në”, u shpreh ministri Salla.

“Merita jote më e madhe është që futet dosat në dëmshpërblim”, shtoi Berisha.

Opozita kërkon uljen e taksës së qarkullimit për naftën në nivelin që ka qenë në vitin 2013 dhe aplikimin e modelit të akcizës së ndryshueshme.

Tv Klan

/tvklan.al