Kryetari i PD, Sali Berisha thotë se Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i arrestuar Erion Veliaj janë përfshirë në një betejë mafioze me njëri-tjetrin për drejtimin e bashkisë së Tiranës.

“Përleshja e tyre në Bashkinë e Tiranës është përleshje mafioze nga mafioze dhe më kriminale. Njëri shkon dhe emëron Anuela Ristanin, Veliaj e shkarkon dhe emëron dikë tjetër aty. Rama shkon dhe emëron Sekretar të Përgjithshëm një tjetër, ky i thotë Policisë Bashkiake, ndaloje hyrjen nga burgu. E merrni vesh se ku është Tirana dhe bashkia, në duart e çfarë mafie të rrezikshme është?”, tha Sali Berisha.    

Nga njësia nr 8 ne Tiranë, Berisha thotë se Veliaj nuk po dënohet për krimet që i ka bërë së bashku me Kryeministrin Rama.

“Erion Veliaj dënohet për ato gjëra që s’ka bërë bashkë me Edi Ramën dhe ato që ka bërë me urdhër të Edi Ramës nuk dënohet”, tha kryedemokrati.

Kryedemorkati paralajmëron se beteja Rama-Veliaj do të thellohet edhe më shumë.

“Kjo është vetëm pjesa e parë e filmit Narcos. Ta keni të qartë që kemi parë vetëm serinë e parë të atij filmi. Se ç’do shohim në seritë e tjera do çuditeni ju dhe bota”, tha Berisha.

Kreu i PD thotë se drejtësia duhet të dënojë Veliajn edhe për çështjen 5D dhe inceneratorët.

Klan News