Protesta e djeshme e opozitës, sipas Sali Berishës, e arriti misionin e saj. Megjithatë, ai akuzon policinë se dhunoi protestuesit paqësorë, përfshirë edhe eksponentë të PD-së, duke mos kursyer as selinë e Partisë Demokratike.

Ai deklaron se “narko-policia nuk kurseu as adoleshentët, as kandidaten tonë, të cilës i ra me plumb gome në ballë”. Si kundërpërgjigje, Berisha u bën thirrje të gjithë demokratëve të bëhen gati për sulme asgjësuese ndaj çdo godine të degëve të Partisë Socialiste.

“Ky përbën një agresion të hapur ndaj selisë së PD-së dhe pluralizmit. Me këtë rast u kërkoj të gjitha degëve të bëjnë rikonjicionin e plotë të selive të PS-së në çdo rreth. Dhe garantoj Edi Ramën se sulmet ndaj selisë së PD-së do të sjellin sulme asgjësuese për selitë e partisë së krimit në të gjithë territorin e vendit”.

Ai akuzon policinë se hodhi gaz lotsjellës dhe mbushi me snajperistë edhe xhaminë e Namazgjasë, në krah të selisë blu, duke u prishur faljen besimtarëve në muajin e Ramazanit.

Protesta e radhës do të vendoset në ditët në vijim, tha Berisha në komunikimin virtual me ndjekësit e tij këtë të shtunë.

Kryedemokrati shton se PD ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, gjë që u tregua edhe nga delegacioni i Parlamentit Europian që ishte këtë javë në Tiranë. Sipas tij, “kreu i delegacionit ka thënë në një takim se PD e kemi aleatin tonë të integrimit”.

Ndërsa për Edi Ramën, Berisha thotë se po refuzohet nga të gjithë, siç ndodhi sipas tij edhe në Washington, ku iu janë refuzuar takime me zyrtarë të lartë amerikanë.

Tv Klan

/tvklan.al