Rritje të pensioneve, vendosje të minimumit jetik dhe përmirësim të pagave të ulëta ishin tre prioritetet që Sali Berisha deklaroi në takimin me pensionistët se do t’i bënte sapo të merrte pushtetin. Kryedemokrati tha se pensionistët sot po vuajnë më shumë se në komunizëm.

“Rreth 490.000 pensionistë marrin pensione të pjesshme. Nuk marrin pensionin minimal të plotë, por marrin pension të pjesshëm. Çka do të thotë, thërrime. Dhe po të kemi parasysh çmimet e tregut, ata kanë një jetë shumë, shumë të vështirë. Kanë një jetë, në disa aspekte, më të vështirë se në socializëm, ku me aq sa merrnin, ato që ishin i blinin, me ato çmime simbolike.”

Demokratët në pushtet, tha Berisha, mbi bazën e minimumit jetik do të fillojnë llogaritjen edhe të pensioneve. Por varfëri ekstreme, tha ai, në Shqipëri nuk do të ketë.

“Ne do të vendosim minimum jetik. Është thënë 200 $, do rillogaritet. Se ecën. Po, po do e shpërndajmë. Shpërndarja është drejtësi sociale. Dhe nuk mund të ndërtosh një sistem të tillë të pabarabartë në shkallë ekstreme. Nuk është barazi e madhe ajo. Por shqiptarë që të mbeten në varfëri ekstreme nuk do të ketë. Jo, nuk do të ketë. Dhe është në varfëri ekstreme ai shqiptar që nuk ka 5 euro në ditë. Ai është në varfëri ekstreme. Dhe kjo, mbi këtë bazë, do të jenë pensionet. Mbi këtë bazë do të fillojë rritja e fuqishme e pensioneve.”

Berisha akuzoi qeverinë Rama për keqqeverisje dhe shpërdorim të buxhetit të shqiptarëve. Ndaj kërkoi që, me anë të protestave, të largojnë këtë mazhorancë që varfëroi dhe dërgoi në emigrim qytetarët.

Klan News

/tvklan.al