Një ditë pas protestës së opozitës, kryedemokrati Sali Berisha pati një falënderim për qytetarët që iu bashkuan asaj.
“Dhjetëra e mijëra qytetarë që me marshin e tyre epik shënuan një fitore të re të kryengritjes sonë paqësore drejt përmbysjes së regjimit diktatorial të Edi Ramës, regjimit të bazuar në krimin dhe drogën”.
Berisha tha se Rama e ka ekspozuar Shqipërinë para ndërkombëtarëve për shkak të mbrojtjes së korrupsionit.
“Shqipëria javën që kaloi ishte e tëra në bankën e akuzës për shkak të Edi Ramës, mbrojtjes që ai u bën vjedhjeve të tij dhe të rrethit të tij, për shkak të sulmeve të egra, kërcënimeve të mëdha që i bëri sistemit të akuzës, vetëm e vetëm sepse e di që radha është e tij”.
Berisha komentoi edhe qëndrimin e Ramës për ndryshimet në qeveri.
“U tha shqiptarëve se Lubonja ka bërë një punë të jashtëzakonshme, duke dëshmuar se është skllav total i saj, mbasi në çdo firmë vjedhje të Lubisë është porosia e tij me shkrim dhe me gojë”.
Berisha thotë se Rama iu fsheh denoncimit që iu bë Shqipërisë në Bruksel, në Parlamentin Europian, dhe në raportin e miratuar nga zyrtarët e lartë të Komisionit Europian.
“Në fjalën e tij ai fshehu sulmin e shëmtuar që i bëri Gjermanisë, vendit donator dhe mik që i ka dhënë Shqipërisë 1 miliard e 500 milionë euro, vetëm e vetëm sepse ky vend nuk pajtohet me vjedhjet e Edi Ramës dhe anturazhit të tij, dhe kërkon nga Shqipëria të respektojë shtetin ligjor, Kushtetutën dhe ligjet e vendit”.
Edhe për shembjet në aksin kombëtar Librazhd-Përrenjas, Berisha tha se janë shkaktuar nga dora e njeriut, nga lejet e dhëna për të rrënuar shtratin e Shkumbinit në kundërshtim me çdo lloj kushti.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 