Sali Berisha hedh poshtë pretendimet se protesta qytetare kontrollohet nga opozita, por shpreh mbështetjen e saj pa simbolet e Partisë Demokratike.
Nga SPAK-u, ku ishte në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, kryedemokrati komentoi edhe dhuratën simbolike që tha se shqiptarët i bënë ditën e ditëlindjes Edi Ramës, duke e cilësuar si urimin më të mirë për kreun e qeverisë.
“Jo kurrë PD nuk qëndron pas protestës, ne e mbështesim atë, qytetarët i bënë dhuratën më të bukur, dhe i bashkohem atij urimi…”
E teksa pas zërave që kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit thotë se fshihet zemërata e qytetarëve për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës, krejt të kundërtën mendon për ata që i kërkojnë edhe atij të largohet.
“Është një veprim gueril i atyre që operojnë në emër apo për llogari të Edi Ramës. Janë disa klithma, përpjekje të opozitës së opozitës, vegël e mirëfilltë e qeverisë, e cila mendon se nuk mund të rritet si opozitë me praninë e Sali Berishës për faktin e vetëm se janë fake opozitë.”
Kryeministrin e akuzoi jo vetëm për kapje të asaj që e cilëson opozitë fake, por edhe vënie nën kontroll të drejtësisë që thotë se vepron me dy standarde, duke mos hetuar korrupsionin qeveritar.
“SPAK-un real dhe SPAK-un paralel e drejton vetëm një njeri, kreu i meduzës Edvin Kristaq Rama. Si mund t’i fshehësh publikut emrat e qeveritarëve që shkuan dhe u takuan me trafikantët e drogës për të bërë marrëveshje për investimet e parave të tyre? Dhe këto i mban të fshehtë Altin Troplini.”
Si shembull të korrupsionit qeveritar, iu rikthye sërish akuzave për inceneratorin e Tiranës.
“Nuk ka akt më të shëmtuar se për 130 milionë euro të mos ketë një zyrtar të lartë të prangosur, qoftë ai ministër, qoftë ai zëvendëskryeministër apo kryetar bashkie. Kjo është amnisti e krimit.”
Berisha komentoi edhe procesin për dosjen “Partizani”, teksa tha se privatizimi ishte parim themelor i partisë që drejtonte gjatë kohës kur ishte në qeverisje.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 