Protesta e pasdites e lajmëruar nga opozita, Sali Berisha sqaroi në një dalje për mediat, do të jetë ngritja e siparit të rezistencës dhe misionit për të rrëzuar Edi Ramën, për të cilin garanton se do të ketë fatin e udhëheqësve të Nepalit dhe diktatorëve afrikanë.

“Se ky mision është shansi i jetës për çdo qytetar të këtij vendi. Shansi i përmbysjes, njëlloj si në Bangladesh, Nepal, Sri Lanka, të diktatorëve autokratë, të cilët pasi vjedhin dhe plaçkisin miliarda kombet e tyre, ia mbathin si armiq në vende të tjera.”

Për Berishën, numrat e pjesëmarrjes në protestë s’kanë rëndësi.

“Idealet, forca e tyre, nuk matet kurrë me numra. Mësimi i historisë së shqiptarëve nuk them se është unik, por them se ka vlerë botërore, pakica që kanë fituar kundër stërshumicave, si në historinë e Shqipërisë, nuk gjen kund tjetër.“

E ndërsa protestat do të zhvillohen në rrugë, marrëdhënia me Parlamentin, Berisha siguron se do të vazhdojë edhe pse nuk do të lejohet normaliteti në sallë.

“Beteja jonë vazhdon në Parlament, rreth tij, jashtë tij dhe kudo. Parlamentin nuk e bojkotojmë, do të zhvillojmë luftë dhe betejë aty, sikundër në shesh, në rrugë, në greva, në demonstrata, në të gjitha format.
Tani nata dhe dita, toka dhe qielli janë tonat.”

E për Parlamentin deklaroi se Rama i bëri një puç kushtetues duke mos lejuar Këshillin e Mandateve të rimblidhej për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Balluku.

“Këtu kemi të bëjmë me një puç antikushtetues.“

Si pika që derdhi gotën për të shperfaqur më me forcë protestën e demokratëve, që nisi si foltore poshtë zyrës së kryeministrit, ishte pikërisht dy aktet e fundit të diktuara, sipas Berishës, nga Rama.

“Ai, pasi mori pushtetin gjyqësor me një vendim korruptiv të Gjykatës Kushtetuese, ai mori pushtetin e Parlamentit. Janë bërë të gjitha. Jemi tani, më të kthjellët se kurrë… Ndaj dhe ne dalim aty me guximin e shqiptarit, me idealet më fisnike të njeriut, për të larguar këtë njeri që mori në Gjykatën Kushtetuese licencën për të vjedhur sa të dojë. Mund t’ia japë gjykata, por populli do t’ia grisë ato letra atij. U ftoj ta përcillni atë protestë me dashuri dhe simpati.“

Tv Klan

/tvklan.al