Komunikimin e përjavshëm me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, Sali Berisha e shfrytëzoi për t’u bërë thirrje shqiptarëve që të bashkohen në protestat e të rinjve, që prej 42 ditësh kërkojnë largimin e qeverisë.
“Ftesa ime për çdo qytetar: të bëjmë gjithçka për të përmbysur këtë regjim të diktaturës, narkoshtetit, krijimit të një qeverie kujdestare për të përgatitur zgjedhje të lira, por kjo kërkon nga çdo qytetar që të kontribuojë për suksesin e protestës rinore të pashembullt në 35 vite, që po përballet me diktaturën e bandës dhe drogës e që do fitojë.”
Edhe në këtë komunikim virtual, lideri i opozitës paralajmëroi dërgimin në SPAK të librit “Dosja Shqiptare”, për të cilin tha se Partia Demokratike do të kërkojë hetim ndërkombëtar lidhur me transaksionet e studiove arkitekturore.
“Ne, në çdo projekt, Rama ka përqindjen e tij dhe Rama ka blerë me ato projekte influencë politike kolosale, 2 mld euro me ca thasë dhe bankash janë paguar 523 vepra kriminale. Është de facto trajtimi i Shqipërisë nga Edi Rama si një çiflig familjar dhe dorëzimi i këtij çifligu në duart e mafies shqiptare dhe botërore. PD do e çojë në Prokurori SPAK këtë dosje.”
Akuzat ndaj kryeministrit i vijoi edhe për përfaqësimin e tij në samitin e NATO-s në Ankara.
“I vetmi vend që u përfaqësua aty në mënyrën më qesharake, më të padenjë, ishte Shqipëria, sepse padrinoja i Shqipërisë, me ekzibicionizmin e tij të papërmbajtur, mendoi se në samitin më serioz të planetit mund të shkohet me atletet e basketbollistit.”
I ashpër ishte edhe kur foli për 4 mln eurot e dhëna nga qeveria për koncertin e reperit amerikan Kanye West.
“Ky është një krim antikushtetues. Në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast, një koncerti privat nuk mund t’i jepeshin paratë e emergjencave të një vendi apo paratë e rezervës së Këshillit të Ministrave. Këtë e bën vetëm ai që nuk pyet për Kushtetutë.”
Berisha shprehu shqetësime edhe për rënien e euros, që sipas tij ka goditur rëndë turizmin vendas.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 