Sali Berisha, jo pa zhgënjim, deklaron se Rama në mbledhjen e grupit parlamentar socialist jo vetëm nuk i dha përgjigje kërkesës së panegociueshme të protestuesve, por e injoroi atë.

“E ndoqët dje në Pallatin Presidencial, ju patë aty një dyfytyrësh, një cinik dhe një njeri të falimentuar. Një njeri që injoroi de facto totalisht kërkesat e ligjshme të protestuesve që po bëhen prej dy muajsh. Kërkesat më themelore të kësaj proteste janë pesë pikat, nga të cilat e para është: Edi Rama jep dorëheqjen të parevokueshme, të panegociueshme. Nuk ka kërkesë më legjitime se Edi Rama nuk është kryeministër legjitim.”

Ndryshe nga Rama, kryedemokrati mendon se protesta jo vetëm nuk është shuar, por po kërcënon çdo ditë e më shumë pushtetin e socialistëve. Ndaj ai bën thirrje dhe demokratëve të jenë të pranishëm çdo ditë përpara Kryeministrisë, ndërsa nga ana e saj selia blu, pas procesit të ripërtëritjes, do të hartojë agjendën e betejave për rrëzimin e qeverisë.

“Dallgët e kësaj lëvizjeje jo vetëm që nuk po shuhen, por po bëhen gjithnjë e më tronditëse për Edi Ramën dhe regjimin e tij. Partia Demokratike është e fuqishme në këtë protestë dhe do të jetë. Dhe ne e ndjekim me shumë interes, me shumë vëmendje dhe do të bëjmë gjithçka për mbështetjen e saj. Sikundër, pas përfundimit të gjithë procesit të brendshëm të partisë, ne do të riformulojmë axhendën tonë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, në funksion të suksesit të protestës dhe të largimit të Edi Ramës.”

Berisha ka rishpjeguar se ulja në tryezën e reformës territoriale, pavarësisht mosbesimit, erdhi për shkak të këmbënguljes së demokratëve dhe selive diplomatike, por Edi Rama, në mënyrë të njëanshme, thotë ai, u tërhoq nga konsensusi. Ndaj, për suksesin e kësaj reforme, kryedemokrati kërkon ndihmën e protestuesve.

“Në krye të radhës kam deklaruar se me Edi Ramën reformë nuk ka. Pas konsultave të gjera bipartizane, në të cilat qytetarët e të gjithë spektrit politik demaskuan njëzëri reformën e shkuar të Edi Ramës, Edi Rama vendosi të mbyllë punimet e komisionit, të tërhiqet dhe e votoi në mënyrë të njëanshme dhe të kundërligjshme raportin e Maznikut, i cili nuk ishte paraqitur në komision. Pra, ai bën gjithçka për një konfrontim dhe unë ftoj qytetarët që këtë reformë kaq të rëndësishme për ata, për komunitetet e tyre, për zonën e tyre, të mos e lënë në duart e Edi Ramës, por të bashkohen me kryengritjen e përgjithshme popullore në Tiranë gjer në largimin e tij.”

Edhe në bashkëbisedimin virtual të kësaj të shtune, Berisha foli për hapat që partia e tij do të ndërmarrë kur të vijë në pushtet për të zbutur varfërinë përmes vendosjes së minimumit jetik 200 euro, uljen e TVSH-së për produktet ushqimore në 6 për qind dhe dyfishim të pensioneve.

Tv Klan

/tvklan.al