Në të njëjtën kohë që Edi Rama u kërkoi fermerëve të bëhen bashkë për tregun europian, Berisha akuzoi kreun e qeverisë se i ka lënë pa naftë pas ndryshimit të skemës së mbështetjes.
“Fermerëve shqiptarë u hiqet edhe subvencioni i naftës që kishin. Pra, një indiferencë totale ndaj fermerëve, një indiferencë e madhe ndaj pensionistëve, ndaj atyre që nuk mjekohen dot me pensionin që marrin as 15 ditë në muaj. Indiferencë totale ndaj atyre që janë në ndihmë ekonomike dhe që u thuhet të jetojnë me 34 euro në muaj.”
Berisha akuzoi kryeministrin edhe për AKSHI-n, të cilin e konsideron një ndër dosjet më të mëdha të korrupsionit qeveritar.
“Miq, çdo koncesion i tij del një vjedhje e madhe e përmasave të jashtëzakonshme. Por ai nuk u ngop vetëm me koncesionet. Gropa e madhe e zezë familjare e tij është AKSHI. AKSHI-n në të cilin Edi Rama, Linda Rama dhe Armand Frangu kanë pasur minierën e floririt. Kanë plaçkitur shqiptarët në qindra e qindra milionë euro.”
Berisha paralajmëroi ngritjen e një agjencie të posaçme për evidentimin e pasurive të fshehura nga zyrtarët e lartë me ardhjen në pushtet të demokratëve.
“Ju garantoj se një agjenci shtetërore do të ngrihet vetëm për identifikimin, gjetjen e pasurive dhe fondeve të fshehura të qeveritarëve aktualë. Do të konfiskohen dhe të shtrohen në pasuri publike. Fati i sarajeve të Surrelit është e vështirë të përcaktohet sot.”
Duke komentuar djegien e pallatit në kompleksin “Arlis” pak ditë më parë, Berisha garantoi se kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës do të ketë si prioritet fasadat e pallateve.
“Kandidati ynë do ta ketë këtë çështje kryesore të platformës së tij. Fasadat flakëmarrëse, zjarrmarrëse janë jashtëzakonisht të rrezikshme për banorët. Është një krim i shëmtuar përdorimi i atyre materialeve dhe u faktua në mënyrën më të qartë tek pallati i kuq i Edi Ramës. Por, përsa i përket bashkisë, nuk ndërmarr dot asnjë veprim, sepse avokati i pronarit, i ndërtuesit të pallatit, Edi Rama e ekzoneroi atë nga çdo përgjegjësi.”
Berisha përjashtoi çdo mundësi bashkëpunimi me Ramën, përveç komisioneve të posaçme parlamentare.
“Ne jemi të zotuar që nuk braktisim kërkesat që janë të nevojshme për procesin e integrimit, siç edhe reforma zgjedhore.”
Ndërsa qytetarët i ftoi të premten, më 8 maj, në protestën e radhës.
“Ajo që mbetet, mbetet revolta qytetare. Për çdo qytetar shqiptar të bashkohemi më datën 8 maj në protestën më të fuqishme që ka njohur Shqipëria, në kryengritjen më të fuqishme paqësore kundër këtij regjimi.”
Më herët, kryedemokrati mori pjesë në një konferencë mbi “Forcimin e rolit të gruas në politikë”, ku ngriti shqetësimin e shpopullimit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 