Ndryshe nga kryeministri Edi Rama, Sali Berisha publikoi të tjera shifra që tha se faktojnë gënjeshtrën e qeverisë lidhur me integritetin e prokurimeve publike. Nga selia blu, kryedemokrati deklaroi se në kohën kur e djathta ishte në pushtet, qeveria e tij mori çmim të dytë nga OK-ja për transparencë në prokurime.
“Ka rënë me 10 pikë dhe jo vetëm kaq, por në vitin 2026 kjo rënie është në 66 pikë, është një rënie prej 14 pikësh. Janë këto të gjitha nga Open Tender EU, organizatë kjo e besueshme e BE-së.”
Arsyeja, sipas Berishës, që ka ndikuar në përkeqësimin e treguesve është kriteri i mafies, që tha se nuk lejon asnjë kompani europiane të fitojë qoftë edhe një tender në Shqipëri.
“Rama përjashtoi kompanitë e BE-së nga tenderat. Të gjitha rrugët Rama-Balluku po shemben sikur të ishin prej kashte. Dhjetë kompani, 1 miliard euro koncentrim total, nga të cilat Lubia ka marrë 1 miliard e 400 milion. Rama ka prokuruar 10% të GDP-së, mashtrues.”
Për Berishën, kjo praktikë e ndjekur nga qeveria bie ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ndaj kërkoi nga institucionet europiane të ndërhyjnë me urgjencë.
“PD i bën thirrje Parlamentit Europian, Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të insistojnë në zbatimin e MSA nga Shqipëria. Të mos pranojnë përjashtimin e kompanive të tyre nga gara në Shqipëri, sepse në këtë mënyrë ndëshkohen edhe taksapaguesit shqiptarë, të cilët paguajnë punët publike 5, 8 gjer në 12 herë më shtrenjtë se në vendet e BE-së për shkak të mafies dhe klientelës së Edi Ramës.”
Pavarësisht largimit nga pozicioni i zv/kryeministres, Sali Berisha thotë se Belinda Balluku vijon të jetë ende numri dy në hije i qeverisë.
Berisha komentoi edhe deklaratat e bëra nga kryenegociatorja Majlinda Dhuka në Komisionin e Jashtëm, të cilën e akuzoi se ka mashtruar opinionin publik, parlamentin dhe BE-në lidhur me përmbushjen e detyrave të Shqipërisë në procesin e integrimit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 