“Ne nuk kemi korrupsion më shumë se çdo kush tjetër. Nuk do të përmend portet në Evropë. Nuk do bëj krahasim. Kjo nuk do të thotë se jemi më të mirë, por për ata që thonë se jemi më të këqinj, iu them: shihni veten dhe le të bëjmë punën”, tha Berisha.

Për kryedemokratin, kjo deklaratë e kryeministrit, përveçse e papërgjegjshme, kërkon të mbulojë realitetin e Shqipërisë si një vend ku korrupsioni dhe krimi i organizuar, sipas Sali Berishës, lulëzojnë sepse drejtohen nga vetë Edi Rama.

“Kjo është tipike përgjigjja e një padrinoje.
Kjo është tipike përgjigjja, reagimi i një njeriu në rreth të kuq, i cili, pasi ka humbur çdo shpresë se mund të dalë nga rrethi i kuq, fajëson të tjerët për çka është autor dhe përgjegjës kryesor”.

Në daljen e radhës, Berisha tha se kishte informacione se ish-zëvendëskryeministrja Balluku po tenton të blejë shtetësi të huaj për t’i shpëtuar gjykimit nga drejtësia.

“Përpjekjet e fundit të saj kanë qenë për të blerë pasaportë me investim në Serbi.
Thuhet se ato përpjekje nuk janë kurorëzuar me sukses pas disa përpjekjeve që ajo bëri në vendet e Gjirit Persik”.

Një tjetër çështje e prekur nga kryedemokrati ishte edhe kërkesa e SPAK-ut për pushimin e çështjes ndaj gjyqtares Irena Gjoka. Sipas tij, me porosi të Ramës, struktura e posaçme po mbron Gjokën, ndërkohë që në raste të tjera janë dënuar zyrtarë për të njëjtat akuza që rëndojnë aktualisht mbi gjyqtaren.

I pyetur, Berisha pranoi se ende nuk kanë një vendim për datën e protestës së radhës kombëtare të opozitës.

Tv Klan

/tvklan.al