Pas shtyrjes për një ditë tjetër të dy interpelancave të thirrura nga opozita me Kryeministrin Rama, Sali Berisha e akuzoi nga aula e Kuvendit për shkelje të kushtetutës dhe shmangie të përgjegjësisë parlamentare.

Sali Berisha: Si kurrë ndonjëherë në 35 vite kreu i ekzekutivit, i tmerruar nga vetja e tij, nuk guxon të dalë në këtë platformë para qytetarëve dhe deputetëve për krimet e rënda. Ka frikë dhe tmerr nga e vërteta e vjedhjeve të tij dhe për këtë arsye nuk paraqitet në seanca.

Në listën e gjatë të aferave korruptive që tha se rëndojnë mbi qeverinë, Berisha listoi krahas inceneratorit të Tiranës edhe projektin e trajtimit të ujërave të zeza, si  dhe programin “100 fshatrat”.

Sali Berisha: Çdo gjë keni bërë vetëm për të vjedhur. Ku janë 240 milionë euro të 100 fshatrave turistike?

Por në kundërpërgjigje të bashkëpunimit konstruktiv së fundmi me opozitën, Taulant Balla I ftoi demokratët që të ndezin dritën jeshile në kuvend edhe për projektin “Porta e Alpeve.”

Taulant Balla: Kur bëhet fjalë për të mirën e Shqipërisë, për investime të kësaj natyre, duhet që t’i bëjmë së bashku.

Pas akuzave brenda në sallë, jashtë Kuvendit Berisha komentoi edhe përplasjet në aeroportin e Vlorës.

 Sali Berisha: Ndërhyrja e shtetit kundër atij që është investitor kryesor, përbën një akt të tmerrshëm të rëndë dhe i jep atij të drejtën për një dëmshpërblim që mund të shkojë më së paku 500 milionë euro. Mënyra se si po vepron Edi Rama, shkon sipas atyre të dhënave që kam, në një gjobë jo më pak se gjysmë miliardi euro kundër Shqipërisë.

Tv Klan

/tvklan.al