Kreu i opozitës, Sali Berisha, akuzon kryeministrin Edi Rama se në rastin e investimit në Zvërnec ka shkelur direktivat e Brukselit. Gjatë bashkëbisedimit virtual me mbështetësit e tij, Berisha theksoi se kreu i qeverisë ka mashtruar jo vetëm shqiptarët, por edhe partnerët europianë.
“Rama ka dhënë lejet e ndërtimit pa u bërë siç kërkon direktiva europiane dhe ligji shqiptar, pa u bërë vlerësimi i mjedisit, vlerësimi i përshtatshmërisë. Nuk mund të investosh pa garanci, është direktivë ligjore e BE-së. Rama të gjitha këto i ka mbuluar sikur ta kishte pronë të tij. Ka mashtruar, ka vepruar si sulltan mesjetar absolut”.
Berisha hodhi poshtë edhe zërat se në fillim ai ka qenë kundër protestës qytetare për të ndaluar investimet në Zvërnec.
“Nuk kam dalë kundër. Së pari, Zvërneci ishte paraqitur nga qeveria si një proces investimi privat, marrëveshje me privatët. Deri këtu unë nuk mund të kisha asnjë lloj qëndrimi kur një privat kërkon të zhvillojë pronën e tij. Në datën 3 qershor unë informoj grupin që Rama ka shkelur çdo procedurë. Protesta nuk është e PD-së dhe nuk bëjmë asnjë përpjekje…”
Thirrjet kundër tij në protestë, Sali Berisha i cilëson si të sponsorizuara nga ata që duan të dëmtojnë opozitën.
“Është opozitë e opozitës që përzgjedh si mënyrë të bërjes forcë opozitare duke sulmuar opozitën e vërtetë dhe ndihmon Edi Ramën. Kjo nuk më pengon mua dhe asnjë demokrat që të mbështesë protestën”.
Berisha shprehet i bindur se, pavarësisht përpjekjeve për ta injoruar protestën, kryeministri Edi Rama është në një gjendje të rënduar për shkak të përmasave që ka marrë revolta qytetare.
“Bën gjeste të pakontrolluara, por edhe nuk ka kontroll në ato që thotë. E rëndësishme është që është në ditët e fundit të regjimit të ri dhe do bëhet përgjegjës për vjedhjet më të mëdha të shqiptarëve në histori”.
Ndaj, në këto kushte ai parashtroi edhe njëherë kërkesat e tij për dorëheqjen e kryeministrit dhe qeveri teknike.
“Duhet të jetë një qeveri me specialistë, qytetarë dhe jashtë partive politike. Duhet marrë votëbesimin në parlament mbi bazën e një marrëveshje paraprake. Por duhet të njohim: është një uragan gjigand rinor qytetar që ka marrë këtë kauzë në dorë”.
Fjalën e mbylli me thirrjen për të marrë pjesë në protestën e sotme kombëtare në Tiranë, të cilën e quajti madhështore.
“Të vërshojnë drejt bulevardit të Tiranës, të mbështesim këtë protestë, kauzë e cila është e çdo qytetari që beson se vota e lirë duhet të përcaktojë qytetarët e këtij vendi, që beson se zgjedhjet e lira janë kushti më themelor”.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 