Teksa kryeministri Rama prerazi tha se qeveria nuk do të heqë dorë nga investimi në Zvërnec, Sali Berisha e akuzoi për mungesë transparence.

“Përveç shifrave, disa miliardësh investime, ai nuk mori përsipër kurrë të bëjë transparencën më të vogël për çështjen e pronësisë, për çështjen e mjedisit, për detyrimet që rrjedhin në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian në përputhje me direktivën ‘Natura 2000’ të Komisionit Europian. Në monologun e tij nuk tha një fjalë të vetme, sepse Edi Rama firmosi lejen e zhvillimit në kundërshtim me ligjin, në praninë e konflikteve gjyqësore midis palëve për pronën.”

Në vend të llogaridhënies, Berisha tha se kreu i qeverisë u hodh në sulm ndaj protestuesve.

“Përdori sot monologun e radhës të tij të së dielës për të sulmuar, kërcënuar, përçmuar dhjetëra mijëra qytetarë që prej një jave protestojnë në protestat më të fuqishme kundër Edi Ramës, kërkojnë dorëheqjen e tij, kërkojnë anulimin e vendimeve të tij të cilat janë një kërcënim madhor për mjedisin në Shqipëri dhe prishin përfundimisht klimën e investimeve në vend.”

Një përgjigje pati edhe për qëndrimet e kryeministrit drejtuar mediave ndërkombëtare.

“Ai prapë u përpoq t’i akuzojë fuqitë e huaja, na rikujtoi kohërat e zeza të diktaturës kur e gjithë bota paraqitej kundër nesh. Shpiku armiq imagjinarë dhe u përpoq të argumentojë luftën hibride kundër Shqipërisë. E vërteta është se këto protesta kanë në themel, para së gjithash dhe mbi të gjitha, veprimet me zero transparencë të Edi Ramës dhe qeverisë së tij në investimet në Zvërnec.”

Berisha ironizoi zgjedhjen e Shqipërisë në krye të Forest Europe, duke thënë se vendi ynë rezulton me pyjet më të shkatërruara dhe më të pambrojtura në kontinent.

Tv Klan

/tvklan.al