Nga SPAK-u ku ishte në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, Sali Berisha tha se diaspora shqiptare e priti me protesta Edi Ramën në Michigan.

“E patë, e patë ç’i bënë? Shqiptarët kundër. Zhvilloi, dhe Fox Neës, në televizionin kryesor protesta e shqiptarëve kundër tij. Protesta atje, protesta në Detroit, me gjithë fushatën e kërcënimeve. Dhe i falënderoj shumë diasporën guximtare që i tha se ti je personi më i urryer. Është njeriu deri tani i vetëm që ka shkelur në SHBA dhe i është organizuar protestë nga qytetarët me origjinë shqiptare”, tha Berisha.

Udhëtimi një javor që zhvilloi në Nju Jork dhe në Teksas nuk është i fundit për këtë vit për Sali Berishën i cili tha se mund të udhëtojë edhe përpara forumit të rradhës që IDU zhvillon në Uashington në datat 2/4 dhjetor.

“Po sikur të shkoj para dhjetorit? Për forumin, do ta marr vendimin më vonë, në parim po, por nuk është vendimi përfundimtar”, tha Berisha.

Edhe në këtë dalje jashtë ambienteve të SPAK-ut, Berisha numëroi skandalet pas të cilave tha se fshihet kreu i qeverisë nga krimi elektoral, inceneratorët, çështja “Kayo,” tenderat e rrugëve, Porto Romano e deri tek dosja e AKSH-it, duke akuzuar SPAK-un se është kthyer në hetuesi private e Edi Ramës.

“Dosjet e Edi Ramës kundërmonin në të katër anët, ky organ është thjesht një hetuesi private e Edi Ramës, që komandohet prej tij dhe që funksionon në mburojë të krimeve monstruoze që Edi Rama kryen bashkë me suitën e tij të ngushtë”, tha Berisha.

Altin Dumani si shpëtoi sërisht shënjestrës së kryedemokratit.

“‘Altin Gjoka Hajri Troplini Dumani, armikut të egër të pluralizmit politik, parelarësit dhe pronarit të katër banesave, falsifikatorit dhe mashtruesit të dokumenteve shtetërore, drejtësia vonon, por nuk harron”, tha Berisha.

Ish-kryeministri Berisha përballet me akuzën për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për përfshirje në korrupsion dhe veprime të paligjshme për pastrimin e parave.

/tvklan.al