Ndonëse ishte bindur se integrimi i Shqipërisë është bllokuar, Sali Berisha pranoi se raporti i Ibarit pritet të marrë së shpejti dritën jeshile nga Këshilli Europian. Nga mbledhja e grupit parlamentar, kryedemokrati konfirmoi angazhimin “pro” të opozitës në këtë proces, teksa tha se dokumenti ka pësuar ndryshime thelbësore nga varianti fillestar.
“Janë nja dy vende që kanë rezerva dhe që pritet që edhe ato të shtojnë në raport rezervat e tyre, që ky raport për Shqipërinë i transformuar në përputhje me situatën në vend të votohet në Këshillin e Ambasadorëve dhe më vonë thirret konferenca ndërqeveritare. PD mbështet plotësisht procesin e integrimit, qoftë edhe për shkak të kriterit gjeopolitik, por ju them që procesi është plagosur nga Rama, dy lëndat e Ergisit.”
Edi Ramën e shënjestroi edhe për deklaratën e bërë në mediat estoneze, se Europa duhet të kërkojë diplomaci dhe bisedë me Rusinë.
“Ka humbur mendjen dhe si një aset i regjistruar dhe si influent rus ka filluar t’i japë këshilla Europës për Rusinë, Vladimir Vladimirovici i drejtohet Putinit sikur të ishte përfaqësues i administratës ruse.”
Berisha ishte i prerë me deputetët, duke paralajmëruar debate të ashpra në seancën e të enjtes në rast se në Kuvend do të delegohet sërish interpelanca e radhës e kërkuar nga demokratët me kryeministrin Rama.
“Nëse kryeministri kërkohet në interpelancë, asnjë deputet nuk duhet ta pranojë. Kushtetuta nuk e njeh këtë gjë, se do përfundojmë te drejtorët e ministrive. Duhet të qëndrojmë te neni 100 i Kushtetutës. Nuk vjen përsëri, ne marrim vendimet tona, por nuk pranojmë delegimin. Ai është shkatërruar nga nervat dhe çdo gjë, është i shfazuar tani dhe nuk paraqitet dot për asgjë, ndaj ikën dhe s’shfaqet në parlament.”
Akuzat ndaj kryeministrit Rama i vijoi edhe gjatë prezantimit të departamentit të inteligjencës artificiale në Partinë Demokratike.
“Si e përdori Edi Rama teknologjinë dixhitale? E përdori për të kryer vjedhjet më të mëdha në historinë e një vendi. Më të çmuara se çdo gjë janë të dhënat e identitetit të njeriut. Të gjitha ato u hakeruan dhe kaluan në dispozicion të patronazhistëve terroristë, kriminalë, të bandave kriminale, e me radhë.”
Berisha theksoi se PD synon të përdorë inteligjencën artificiale dhe teknologjitë moderne për të rritur transparencën, për të luftuar korrupsionin dhe për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 