Raporti i Vlerësimit të Standardeve të Përkohshme, i njohur ndryshe si IBAR, sipas kryedemokratit Sali Berisha, u miratua me ndryshime rrënjësore nga drafti fillestar i hartuar nga Komisioni Europian.

“IBAR u votua për Shqipërinë, por siç e keni dëgjuar ju, u amendua. U amendua në mënyrë serioze pas qëndrimit të qeverisë ndaj hetimeve, ndaj drejtësisë, ndaj luftës kundër korrupsionit. Pra, ka pasur reflektime të mëdha të problemeve për t’u adresuar. Shpresoj që Bashkimi Evropian do ta mbajë fokusin te rajoni ynë.”

Gjatë një takimi me gratë politikane të partive popullore europiane për integrimin, Berisha nënvizoi se anëtarësimi mbetet prioritet i PD, por procesi duhet të bazohet në meritë.

“Ne besojmë se ky proces duhet të bazohet në meritë. Vetëm një proces i bazuar në meritë u garanton qytetarëve tanë liritë dhe të drejtat e njeriut, një drejtësi të pavarur, një ekonomi funksionale tregu dhe ‘acquis communautaire’ për vendin.”

Sipas kryedemokratit, Shqipëria po ecën drejt autokracisë dhe krimi i organizuar po mban peng rotacionin politik.

Klan News

/tvklan.al