Një ditë pas protestës së 22 marsit, Sali Berisha paralajmëroi nga selia blu përshkallëzim të aksionit opozitar në mbarë vendin.
“Regjimi do të përballet në të katër anët e vendit me qëndresën e fuqishme popullore. Ajo do të përfshijë të gjithë Shqipërinë dhe do të jetë e pandërprerë gjer në largimin përfundimtar të kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën. Nuk ka më paqe dhe stabilitet për hajdutët, për narkozyrtarët shqiptarë, gjer me rikthimin e votës së lirë, shtetit ligjor”, tha Berisha.
Edi Ramën e akuzoi se përdori dhunë ndaj protestuesve, ndërsa e cilësoi inskenim të kryeministrit dërgimin në spital të disa efektivëve pas lëndimeve në tubimin e opozitës.
“Kishin çuar 5 policë dhe i kishin shtrirë në ato shtretër, por ata nuk kishin gjë. I zhveshën mjekët, se isha unë atje dhe nuk kishin asnjë plagë, asnjë gjë. Shkoi ky sharlatani dhe Rama u bëra unë gati të nisem për t’u treguar shqiptarëve se këta po gënjenin, po mashtronin. Policët ikën, nuk qëndruan se nuk donin të bëheshin kukulla në një skenar të turpshëm. Nuk kishin asnjë gjë. Shkova e takova mjekët, nuk kishte asgjë të regjistruar. Duan të shpikin”, u shpreh ai.
Një përgjigje pati edhe për ambasadën gjermane, e cila dënoi aktet e dhunës në protestë.
“Në kushtet e një grushti shteti janë të ligjshme të gjitha mjetet, por ne qëndrojmë tek mjetet paqësore. Dhunë e tmerrshme ndaj këtij populli është bllokimi i drejtësisë për arrestimin e Lubi Ballukut për shkak të Edi Ramës, marrjen e pushtetit të drejtësisë nga pushteti ekzekutiv. Dhunë e tmerrshme është lëvizja e lirë e Ergys Agasit dhe thuhet edhe vizitat e tij në Surrel, për të cilat duhet të bëhet hetim. Këto janë dhunë e tmerrshme ndaj një populli, se janë dhunë ndaj ligjeve, ndaj Kushtetutës, ndaj themeleve”, shtoi kryedemokrati.
Prerazi përjashtoi që në 23 maj, në garën për kreun e ri të kësaj force politike, rival të ketë Ervin Salianjin, i cili sipas tij u vetëpërjashtua nga partia.
“Është i vetëpërjashtuar. E birësuan, po të mos birësohej, do ishte ai. Ai zgjodhi vetë birësimin, iku, mori fund”, tha Berisha.
Deklarata e kryedemokratit vjen vetëm pak ditë pasi Ervin Salianji shprehu kandidaturën e tij në garën për kreun e ri të Partisë Demokratike, pas nisjes së turit në disa prej degëve në rrethe.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 