Procesi i integrimit europian të Shqipërisë duhet të jetë i bazuar në meritë dhe në përmbushje të standardeve demokratike. Kështu deklaroi nga Zagrebi kreu i demokratëve, Sali Berisha, gjatë një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, në kuadër të punimeve të forumit të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar.
Plenković rikonfirmoi mbështetjen e Kroacisë në rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke nënvizuar gjithashtu rëndësinë e një procesi të bazuar në meritë.
Gjatë bashkëbisedimit, Berisha e informoi kreun e qeverisë kroate lidhur me zhvillimet politike në Shqipëri e rajon, regresin demokratik dhe tendencat autoritare të qeverisjes sipas tij, ndikimin e krimit të organizuar dhe karteleve të drogës në procesin zgjedhor e jetën ekonomike të vendit, si dhe nivelet e larta të korrupsionit dhe mungesën e llogaridhënies.
Gjatë qëndrimit në Zagreb, Berisha, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, u takua edhe me Presidentin e forumit të IDU-së, Stephen Harper.
Mbrojtja politike e korrupsionit, duke u ndalur tek hetimet ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, ishte një ndër shqetësimet e ngritura nga kryedemokrati, i cili theksoi se mazhoranca përdori mandatet e deputetëve për të penguar punën e drejtësisë. Berisha foli me shqetësim edhe për injektimin e parave të drogës në sektorët kyç të ekonomisë.
Në Kroaci, Berisha u takua edhe me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ku diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare, që shërbejnë për procesin e integrimit në BE.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 