Rritje e numrit të bashkive dhe rikthim të komunave është propozimi i bërë nga kryetari i PD, Sali Berisha, në takim me ekspertë për reformën territoriale. Kryedemokrati tha se me këtë formulë synohet afrimi i shërbimeve te qytetarët, si dhe përshtatja e funksionimit të pushtetit vendor me standardet e BE-së.

Ndarja e rajoneve, sipas Berishës, duhet të bëhet si në vendet e BE-së. Berisha theksoi se propozimi final i demokratëve do të publikohet pasi të përfundojnë diskutimet në terren me qytetarët.

Kreu demokrat tha se reforma territoriale e vitit 2015 kishte si synim favorizimin elektoral të PS-së, si dhe largimin e qytetarëve nga Shqipëria. Lideri i demokratëve thotë se ndarja aktuale territoriale në vendin tonë ka larguar edhe investimet në zonat rurale.

I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, Luçiano Boçi, i cili deklaroi se propozimet që vijnë nga PS kanë si qëllim ndarjen e territorit në varësi të peshës elektorale që ka për mazhorancën.

Klan News

/tvklan.al