Pas rezultateve paraprake, kreu i PD Sali Berisha ka dhënë një deklaratë për mediat.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë komisionerëve që të numërohet me përkushtim çdo votë e hedhur në kuti në zgjedhjet e 11 Majit.
Berisha e quajti këtë proces si ditën më të rëndësishme për demokratët.
“Për PD-në, procesi elektoral është procesi themelor i një shoqërie të lirë dhe i njerëzve të lirë. Pra, është procesi më serioz. Në këtë kontekst jam këtu së pari për të shprehur mirënjohje, falënderim të madh për të gjithë ata komisionerë, vëzhgues, numërues që e gdhinë gjatë natës duke numëruar votat e qytetarëve.
Së dyti, u bëj thirrje të gjithë strukturave të PD, komisionerëve, vëzhguesve, kandidatëve, drejtuesve, që të bëjnë gjithçka që të numërohet çdo votë me përkushtimin më të madh sepse çdo votë kundër regjimit meriton nderimin më të madh dhe vlerësimin më të madh. Unë këtë kisha qëllimin tim të paraqitjes para jush, në mënyrë edhe njëherë, një thirrje për demokratët, opozitarët të tregojnë përkushtimin dhe seriozitetin tonë maksimal në numërimin dhe vlerësimin e çdo vote të hedhur në kuti dhe të mos kenë asnjë ndikim nga asgjë. Kjo është detyra më e rëndësishme për demokratët sot”, tha Berisha.
/tvklan.al