Petrolifera, investimi më i madh privat deri më tani në vend do të përfundojë vitin që vjen.

Për këtë vepër investimi për të cilin arrin 55 milion euro po përdoret teknologji e standardeve të fundit ndërkombëtare, ndërkohë që sipas kryeministrit Berisha gjithçka po monitorohet në mënyrë të rreptë nga Ministria e Mjedisit.

Sali Berisha: “Përfitimet e Shqipërisë janë shumë të mëdha. Së pari ky është një investim prej 55 milion. Së dyti, këtu janë të punësuar 150 punëtorë tani. Së treti, këtu janë standardet më të larta të sigurisë. Kompania është si çdo kompani tjetër në këtë vend. U nënshtrohet taksave dhe rregullave të tjera, pra fitimet e Shqipërisë janë shumë të mëdha, por Shqipëria ka dëshirë që fitimet e kompanisë të jenë shumë të mëdha gjithashtu. Win-win story”.

Por duket se Petrolifera është vetëm një pjesë e këtij investimi gjigant në Vlorë. Një tjetër projekt, më i madhi në Mesdhe, do të jetë ai i ndërtimit të një porti kontejnerësh për ndërtimin e të cilit është ofruar një kompani angleze.

Sali Berisha: “Është e vërtet se po planifikohet ndërtimi i një porti të përmasave mesdhetare edhe këtë Vlora e meriton plotësisht”.

Gjatë vizitës në Vlorë kryeministri ka përgënjeshtruar artikuj gazetash, të cilat flasin për shitjen e rërës shqiptare një firme italiane. Ai e ka cilësuar këto trillime të fansave të skupave.

Sali Berisha: “Të cilët njoftuan se Berisha po shet rërën e Vlorës. Më lejoni t’u informoj se Berisha me kompanitë që ka kontraktuar, me kompanitë me të cilat po bën deal-in, po furnizon Vlorën me rërë. Rëra e detit pasi analizohet dërgohet në plazhet e Vlorës dhe janë dërguar deri tani rreth 150 mijë apo 200 mijë metër kub rërë.”

Dy rrugët qendrore në Selenicë të Vlorës janë përurimi i radhës në infrastrukturë. Kreu i bashkisë së Selenicës tha se qeveria e kaluar nuk i ka mbajtur premtimet për investimet në këtë zonë.

Ilia Seferi: “Kjo rrugë në kilometra e gjatë na shkurton distancën me Vlorën, me Tiranën, me Evropën.”

Sali Berisha: “Qeveria që unë kryesoj ka investimet më të larta në Evropë për infrastrukturë. Kjo qeveri, të dashur vëllezër dhe motra, investon sot në infrastrukturë, në rrugët, kanalizimet, ujësjellësit,autostradat, shkollat, 32% të buxhetit investon sot 9% të Prodhimit të Brendshëm, investon vetëm këtë vit 1.2 miliard dollarë.”

Berisha ishte sot në Vlorë në vijim të një turi inaugurimesh në infrastrukturë dhe veprash të tjera publike./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani