Pak orë përpara mbajtjes së protestës qytetare, e cila ka hyrë në ditën e saj të 28-të, Sali Berisha komunikimin virtual me ndjekësit e tij në rrjetet sociale e nisi me një thirrje drejtuar demokratëve.
“Kudo që ndodhen, në Shqipëri, jashtë saj, në diasporë, të mbështesin protestën e të rinjve shqiptarë si shpresa më e bukur për shqiptarët, Shqipërinë dhe të ardhmen e vendit.”
Ndaj të vetëve sërish pati të njëjtën këshillë për thirrjet kundër tij në protestë.
“Asnjë impresion nga ato klithma, pasi ato janë britma që dalin nga opozita e opozitës dhe armikut të egër të opozitës shqiptare, Xhorxh Soros, që paguan për to.”
Ndonëse vetë nuk i është bashkuar protestës së qytetarëve, kërkesat e tyre tha se i parashtroi me miqtë e tij gjermanë gjatë një takimi blic që zhvilloi përgjatë 24 orëve në Berlin.
“Shkova me ftesë të kryetarit të Bundestagut, por të përshëndeti edhe vetë për peshën që ka. Informova për revoltën madhështore të të rinjve, garancinë që jep PD për t’i mbështetur ato kërkesa, kërkova mbështetjen e tyre.”
Edi Ramën e akuzoi se qëndron në krye të fushatës denigruese që iu bë jo vetëm luftëtarit të UÇK-së Tahir Sinani, por edhe Ikballe Hudutit, të cilës iu ndalua hyrja në Shqipëri për 15 vite.
“Pasi shpalli si bajloz të zi algoritmin, Edi Rama u rikthye në genin e tij. Shpall një zonjë non-grata sepse, siç e shpjegoi, ka marrë një medalje si lexuese e Kuranit në një konferencë fetare. Arritën në shkallë ekstreme të përbaltin një nga heronjtë më të lavdishëm të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar në fund të shekullit të 20-të, Tahir Sinanin.”
Kryeministrit që sheh agjentë iranianë në protestë, i kujtoi takimet sekrete që tha se vetë Edi Rama ka bërë kohë më parë me ish-presidentin e këtij vendi, të shpallur nga Shqipëria si shtet sponsorizues të terrorizmit.
“Kam qenë kryeministër në pushtet kur shërbimet e huaja më informuan se Edi Rama ka shkuar në Teheran dhe është takuar me Ahmadinexhadin. Dhe se Erion Veliaj e ka bërë atë rrugë disa herë.”
Akuzat për akte terroriste ndaj qytetarëve në protestë i vijoi krahas Edi Ramës edhe ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror.
“E garantoj zonjën se do bëhet përgjegjëse për këto akte dhe i ftoj qytetarët t’i fotografojnë dhe të mos kenë asnjë lloj impresioni ndaj tyre.”
Të gjithë atyre që i kërkojnë dorëheqjen, përgjigjen Berisha ia dha tërthorazi duke paralajmëruar një udhëtim drejt SHBA-ve.
“Nuk them se do shkojmë kur të fitojmë zgjedhjet si kryeministër, por edhe më parë, në momentin e përshtatshëm. Mund të shkoj në ndonjë konferencë.”
Kryedemokrati paralajmëroi jo vetëm hetim parlamentar, por edhe dërgimin e një dosjeje në SPAK për grabitjet e tokave që thotë se familja Rama ka bërë në Vuno.
“Dora e zezë e Ardit Bidos dhe unë po mbledh dokumente se ai ka bërë falsifikime pronash dhe kjo do shkojë për hetim. Komision hetimor do kërkojmë patjetër.”
Ndryshe nga angazhimi politik, e kundërta ndodh me futbollin, ku në këtë botëror nuk ka një skuadër të preferuar.
“Tifo do bëj me ekipin që do luajë më mirë. Meqë s’kemi kombëtaren tonë, jam indiferent ndaj të tjerëve, atë do trokas…”
E sa për eliksirin e jetëgjatësisë, atë ia atribuon Zotit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 