Koalicioni qeveritar në Gjermani është pajtuar për një plan të ri ushtarak me qëllim të rritjes së numrit të trupave, pas disa muajve të mosmarrëveshjeve mes forcave politike.
Plani i ri për shërbimin ushtarak parasheh që të gjithë djemtë 18-vjeçarë të plotësojnë një formular rreth gatishmërisë së tyre për të shërbyer dhe nga viti 2027 do t’i nënshtrohen një kontrolli mjekësor.
Ky vendim është marrë teksa Berlini përpiqet të krijojë ushtrinë më të fuqishme konvecionale në Evropë.
Shefi i kompanisë më të madhe gjermane në fushën e Mbrojtjes ka bërë të ditur për mediat se beson që synimi mund të arrihet brenda 5 vjetësh. Ligjvënësit pritet ta votojnë këtë plan deri në fund të vitit 2025. Më herët gjatë vitit, shefi i Mbrojtjes në Gjermani, gjenerali Carsten Breuer ka paralajmëruar që aleanca e NATO-s duhet të përgatitet për ndonjë sulm të mundshëm rus brenda katër vjetësh.
Kur e kanë formuar koalicionin qeveritar më herët gjatë vitit, konservatorët e kancelarit Friedrich Merz dhe Social-Demokratët e qendrës së majtë janë pajtuar për ta rikthyer shërbimin ushtarak, i cili fillimisht do të jetë në baza vullnetare. Ushtria gjermane i ka aktualisht rreth 182 mijë ushtarë.
Shërbimi i ri ushtarak mëton të rrisë këtë numër për 20 mijë vitin e ardhshëm, dhe që shifra të rritet mes 255 mijë dhe 260 mijë në 10 vitet e ardhshme, me 200 mijë rezervistë shtesë. Disa parti politike të krahut të majtë vazhdojnë të kundërshtojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Edhe shumë të rinj gjermanë janë në këtë linjë. Një anketë e realizuar së fundmi për revistën Stern ka sugjeruar se pak mbi gjysma e tyre e pëlqejnë shërbimin e detyrueshëm, mirëpo shkalla e kundërshtimit është 63% te grupmosha 18-29 vjeç./Marrë nga REL
/tvklan.al












Botërori 2026 
