“WE Finance Code Albania – Kodi për Financimin e Grave Sipërmarrëse”, shënon në vendin tonë fillimin e një partneriteti të avancuar në aksesin e financimit për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të drejtuara nga gratë.

Gjatë lançimit të iniciativës Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko nënvizoi se ky hap duhet të shërbejë si një mbështetje direkte ndaj grave sipërmarrëse.

Ndërsa përfaqësuesi i BERZH, Francis Malige foli për rolin e grave në ekonomi dhe mbështetjen ndaj tyre që është tepër thelbësore për të ardhmen.

“Ky kod ndihmon për të zgjeruar aksesin në financë për grate dhe mbush boshllëqet ekonomike e financiare te tyre. Është një nismë globale e financuar nga shumë shtete. Barazia gjinore nuk ështe thjesht një qëllim në vetvete. Me këtë iniciativë mund të ndihmojmë për ndërtimin një të ardhme sa më të mirë. Mendoj se duke mbështetur gratë kemi njohur sfidat që ende vazhdojnë, pasi femrat përballë meshkujve përballen me sfida të vazhdueshme”, tha Francis Malige, menaxhues për institucionet financiare, BERZH.

Lançimi i “WE Finance Code Albania” shënon fillimin e një procesi afatgjatë, në të cilin institucionet kryesore do të punojnë së bashku për të përmirësuar cilësinë e të dhënave, për të monitoruar progresin dhe për të krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e sipërmarrjes së grave në Shqipëri.

Klan News

/tvklan.al