Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.5% këtë vit dhe me të njëjtin ritëm edhe në 2027, sipas raportit të fundit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Për vitin 2026, parashikimi është rishikuar me 0.1 pikë në rritje krahasuar me qershorin.
BERZH e lidh këtë përmirësim me reformat dhe investimet që lidhen me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në tremujorin e parë, ekonomia u zgjerua me 3.7%, e mbështetur kryesisht nga administrata publike, pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi.
Në krahun tjetër industria dhe bujqësia vijojnë të tkurren, ndërsa BERZH evidenton forcimin e lekut, kërkesën e dobët nga jashtë dhe rritjen e pagave si faktorë që po ushtrojnë presion mbi konkurrueshmërinë.
Një tjetër pikë pozitive vjen nga sektori i jashtëm. Deficiti i llogarisë korrente ka vijuar të ngushtohet, i ndihmuar nga të ardhurat rekord nga turizmi dhe remitancat, edhe pse deficiti tregtar i mallrave vazhdon të zgjerohet.
Ndërkohë, investimet e huaja direkte neto u rritën me 11% në terma vjetorë në tremujorin e parë, por u përqendruan kryesisht në pasuri të paluajtshme dhe ndërmjetësim financiar.
/tvklan.al












Botërori 2026 