Besimtarët bektashinj, ashtu si çdo 22 Mars, kremtojnë këtë të shtunë festën e Sulltan Novruzit, një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar, që përkon me lindjen e drejtuesit të tyre shpirtëror, Imam Aliu.

Në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, aty ku u mbajt ceremonia e festës së Sulltan Novruzit u mblodhën besimtarët që dërguan lutjet e tyre për më shumë lumturi e paqe. Këto ishin lutjet por edhe mesazhet e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.

Për festën e Sulltan Novruzit nuk munguan as urimet nga përfaqësuesit më të lartë të politikës së vendit dhe asaj botërore. Presidenti i vendit Bajram Begaj, i uroi besimtarët për më shumë begati dhe mirësi, ndërsa kryeministri Edi Rama me foton e Odeonit të selisë bektashiane, i uron besimtarëve bektashinj, Gëzuar Ditën e Sulltan Nevruzit. Mesazh urimi ka përcjellë dhe lideri i opozitës Sali Berisha, i cili uroi besimtarët dhe mbarë shqiptarët për një të ardhme më të mirë.

Nuk mungoi urimi për besimtarët bektashinj në mbarë botën edhe nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

“Urimet më të ngrohta për të gjithë ata që në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë globin festojnë festën e lashtë të Nevruzit. Kjo traditë e kahershme paraqet një kohë për të reflektuar mbi bekimet e vitit të kaluar dhe për t’u përgatitur për pranverën e ardhshme me një frymë të përtërirë optimizmi”, tha Trump.

Festa e Sulltan Novruzit, lidhet ngushtë me Pranverën, rizgjimin dhe ripërtërimin e natyrës. Novruz do të thotë ditë e re dhe fillim i ri, kur për bekatshinjtë çdo gjë ringjallërohet, lind shpresa dhe triumfi i dritës përmbi errësirën. Traditë e kësaj feste veç riteve, është festa që të bashkon me më të dashurit, ku në tryezë nuk mungon byreku me monedhë dhe të mirat që sjell natyra.

Tv Klan