Këtë vit besimtarët e krishterë, katolikë, ortodoksë e ungjillorë kremtojnë në të njëjtën ditë festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit.

Besimtarët katolikë në Tiranë u mblodhën në Katedralen e “Shën Palit”. Në lutjen e tij përpara besimtarëve, Imzot Arjan Dodaj përcolli mesazhe për paqe e dashuri.

“Ia shpallim këtë lajm vendit tonë që akoma ka nevojë të përjetojë kalimin nga nata e errët e ideologjive në atë të dritës së shpresës. T’ia shpallim familjes shqiptare që jo rrallëherë endet peng e një shoqërie që po harron vlerat e harmonisë dhe ngrohtësisë. Le t’ua shpallim brezave të rinj që fatkeqësisht sot nuk kanë shumë busulla të qarta dhe koherente që ti marrin përdore me dashuri dhe përkushtim, me durim e përkujdesje për të mos mbetur viktima të zgjedhjeve të menjëhershme”, tha Imzot Arjan Dodaj.

Me urimin “Krishti u ngjall”, besimtarë të shumtë ortodoksë morën pjesë në meshën e drejtuar nga Kryepshkopi i ri Imzot Joani, i cili gjithashtu përcolli mesazhe shprese. Sipas kryepeshkopit Joan, ata që shpresojnë te Zoti do të ripërtërijnë forcën e tyre e nëse do të ndizet drita e ngjalljes, edhe marrëdhëniet mes njerëzve do të ndriçohen.

Pas kremtimit, sipas traditës, besimtarët ortodoksë morën dritën e qiriut për ta cuar atë në shtëpitë e tyre, si një simbol të ringjalljes dhe shpresës.

Pashka është ndër festat më të rëndësishme të besimit të krishterë që simbolizon triumfin e jetës ndaj të keqes, vdekjes.

Për festën e Pashkës, besimtarët shkëmbejnë dhe thyejnë vezët e lyera me ngjyrë të kuqe, simboli i jetës e më pas urojnë njëri-tjetrin për këtë ditë të shënuar.

Klan News