Ky është momenti kur efektivi i Forcave të Armatosura dërgohet i plagosur me helikopter drejt Tiranës.

25-vjeçari Andrea Kaçi u plagos gjatë operacionit për shuarjen e zjarreve në Mirditë, teksa po furnizonte me ujë një automjet zjarrfikës. Aksidenti teknik ndodhi nga presioni i ujit që shkaktoi shkëputjen e tubit me diametër 120 milimetra, ku pjesa metalike e goditi ushtarin e Forcave të Armatosura.

Pas dërgimit në Spitalin e Traumës, ushtaraku po ndiqet nga një mjek neurokirurg dhe tashmë është jashtë rrezikut për jetën.

Ushtaraku i lënduar u vizitua edhe nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Sakaq, në Rrëshen mbetet e vështirë situata nga zjarret, edhe pse po punohet nga toka dhe ajri për vënien e flakëve nën kontroll. Autoritetet thonë se për momentin nuk ka rrezik për banesat.

Vatrat janë aktive në fshatin Tenë të Mirditës, por sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për momentin flakët nuk përbëjnë rrezik për banesat.

Në operacionin e shuarjes së zjarrit janë të angazhuar 30 efektivë të FA-së. Ata kanë rrezikuar edhe jetën nga lëndët shpërthyese që gjenden mes të vatrave të zjarrit, siç duket edhe në këto pamje.

Autoritetet thonë se ka shënuar përmirësim të ndjeshëm situata në Pukë. Vatrat në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë izoluar dhe vijon kontrolli i vijës së zjarrit për të parandaluar riaktivizimet.

Pasditen e së shtunës, 21 gusht, një zjarr i madh ka përfshirë pyllin me pisha në zonën e Pishë Poros në Vlorë. Flakët janë përhapur në sipërfaqen e pyllëzuar, duke rrezikuar masivin me pisha. Ndërkohë, zjarri në Dukat është shuar plotësisht, ndërsa vatrat e tjera vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje nga strukturat në terren.

Në Malin e Dajtit në Tiranë, një pjesë e vatrave janë izoluar plotësisht, ndërsa vijon ndërhyrja në ato të mbetura. Krahas forcave në terren, për shuarjen e flakëve po ndërhyhet nga ajri me një helikopter dhe 2 avionë Air Tractor.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, të shtunën janë raportuar 10 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 6 janë nën mbikëqyrje.

Tv Klan

/tvklan.al