Kompania e krijuesve të Claude përjashton Kinën nga tregu i saj, ndërsa paralajmëron rrezikun e ndërhyrjes së qeverisë amerikane. Gara teknologjike mes dy superfuqive po kthehet në një betejë të fortë gjeopolitike dhe financiare

Kompania amerikane Anthropic, krijuesja e platformës së inteligjencës artificiale Claude, po hyn në bursën e Uall Street, në një moment kur rivaliteti teknologjik mes SHBA-ve dhe Kinës po ndikon drejtpërdrejt në vendimet e saj.

Në dokumentet e publikuara për kuotimin në bursë, kompania ka përcaktuar një sërë kufizimesh për vendet ku mund të përdoren shërbimet e saj. Mes tyre janë Kina dhe Hong Kongu, ndërsa përjashtohen gjithashtu territore të pushtuara nga Rusia në Ukrainë, si Krimea, Donjecku, Hersoni, Luhansku dhe Zaporizhzhia.

Kufizimet nuk ndalen vetëm te përdorimi i teknologjisë. Sipas Bloomberg, bankat e Uall Street-it që merren me shitjen e aksioneve, mes tyre Morgan Stanley dhe Goldman Sachs, kanë refuzuar kërkesat e investitorëve nga Kina dhe Hong Kongu për të marrë pjesë në ofertën fillestare. Kjo lidhet me kufizimet amerikane për transferimin e teknologjive me rëndësi strategjike dhe ushtarake drejt vendeve që konsiderohen kundërshtare. Kështu, hyrja e Anthropic në bursë po shoqërohet me një ndarje gjithnjë e më të qartë mes dy fuqive ekonomike.

Në dokumentet e saj, kompania paralajmëron edhe mundësinë e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të qeverisë amerikane në aktivitetin e saj, deri në një skenar ku shteti mund të marrë kontrollin e kompanisë, të urdhërojë mbylljen e shërbimeve ose të ndërpresë funksionimin e modeleve më të avancuara. Paralajmërimi vjen pas përplasjes me administratën Trump, e cila kërkoi që sistemet më të fuqishme të Anthropic të përdoreshin në operacionet ushtarake kundër Iranit, por drejtuesit e kompanisë, Dario dhe Daniela Amodei, kundërshtuan këto kërkesa.

Përveç presionit politik, Anthropic përballet edhe me një sfidë të madhe financiare. Kompania ka planifikuar investime prej 70 miliardë dollarësh në kapacitetet kompjuterike të qendrave të të dhënave brenda më pak se një viti, ndërsa synon të arrijë në 450 miliardë dollarë deri në vitin 2030.

Megjithatë, konkurrenca nga kompanitë kineze, që ofrojnë modele të inteligjencës artificiale me kosto shumë më të ulët, po e vështirëson këtë objektiv. Madje, edhe gjigantë si Revolut kanë braktisur Claude për të kaluar te modeli kinez GML 5.3. Rreziku është që SHBA-të, për të mbrojtur kompanitë e saj, të kufizojë përdorimin e teknologjisë kineze edhe në Evropë, duke e bërë kontinentin gjithnjë e më të varur nga platformat amerikane.

/tvklan.al