Kryeqyteti i Gjermanisë, qyteti-shtet i Berlinit, po përgatitet për zgjedhjet shtetërore më 20 shtator. Kostoja e jetesës dhe ekstremizmi politik janë ndër temat kryesore të fushatës. Berlini aktualisht qeveriset nga një koalicion midis partisë konservatore dhe socialdemokratëve.

Partia konservatore CDU po garon për vendin e parë kundër partisë së Majtë (Die Linke); kandidati kryesor i kristian-demokratëve për zgjedhjet, Stefan Evers, e ka cilësuar këtë të fundit si “tejet të radikalizuar” dhe e ka akuzuar për antisemitizëm.

“Çështja që shtrohet në Berlin është, nga njëra anë, e ndryshme nga ajo në Saksoni-Anhalt. Këtu në Berlin, duke pasur parasysh garën tejet të ngushtë mes CDU-së dhe një Partie të Majtë tejet të radikalizuar, pyetja është se cila prej këtyre dy forcave do të jetë përfundimisht në qeveri. Ne përgjigjemi për këtë me qartësi të plotë. Një partie që ende nuk e ka zgjidhur problemin strukturor të antisemitizmit, një parti ku aktualisht po shohim urrejtje të hapur ndaj hebrenjve në skenat e saj të fushatës dhe krahu rinor i së cilës shpërndan nëpër shkolla ngjitëse me imazhin e kallashnikovit – një partie të tillë nuk duhet t’i lejohet të marrë përgjegjësi politike këtu”, tha kandidati i CDU në Berlin, Stefan Evers.

Gjatë një fushate zgjedhore të partisë së Majtë në gusht, një muzikant interpretoi një këngë me titull “Stop Gjenocidit”, e cila përfshinte vargje si “Yalla Yalla Intifada” dhe “Vdekje IDF-së (Forcave të Mbrojtjes së Izraelit)”.

Kandidatja kryesore e partisë së Majtë, Elif Eralp, e kritikoi ashpër performancën, duke thënë se thirrjet për dhunë ndaj njerëzve janë “plotësisht të papranueshme”.

Vetë partia e Majtë është e përqendruar te rritja e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, e cila aktualisht renditet pas Kristian-demokratëve dhe partisë së Majtë, por që mund t’i dyfishojë pothuajse vendet e saj në parlamentin e Berlinit.

“Natyrisht që jam thellësisht e shqetësuar për rritjen e AfD-së në Berlin. Kjo është arsyeja pse ne shkojmë derë më derë kudo. Ne dëgjojmë. Ne shkojmë edhe aty ku situata është e vështirë dhe bisedojmë me njerëzit. Sepse duam që njerëzit këtu të marrin pjesë aktive në demokraci dhe nuk duam që ata që janë të zhgënjyer e duan të protestojnë, t’ia japin votën e tyre Alternativës, pasi AfD-ja vetëm sa do ta përkeqësojë situatën e tyre”, tha kandidatja e DIE Linke, Elif Eralp.

Asnjë parti nuk parashikohet të arrijë shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme. CDU-ja ka përjashtuar mundësinë e koalicioneve si me AfD-në ashtu edhe me partinë e Majtë, ndërsa të gjitha partitë e tjera gjithashtu kanë përjashtuar koalicionet me Alternativën.

Në shtetin gjerman verilindor të Meklenburg-Pomeranisë Perëndimore, ku gjithashtu mbahen zgjedhje, sondazhet e fundit parashikojnë një rezultat të fortë për partinë e ekstremit të djathtë.

Me 37 për qind, Alternativa për Gjermaninë do të renditej e para, pak para social-demokratëve të SPD që ka 34 për qind.

Partia e Majtë (Die Linke) kanë dhjetë për qind dhe të Gjelbrit (Die Grünen) në pesë për qind – pikërisht në pragun e nevojshëm për të hyrë në parlamentin e shtetit.

Reuters raporton se reformat e premtuara nga kancelari Merz nuk kanë dhënë rezultate, pasiguria ekonomike është thelluar dhe besimi i votuesve te qeveria është dobësuar.

Kristian-demokratët janë në rrugën drejt rezultatit të tyre më të dobët zgjedhor ndonjëherë, sipas Reuters, dhe përballen me rrezikun serioz që të mos arrijnë as pragun prej 5% për të hyrë në parlament.

Klan News

/tvklan.al