“Një precedent të rrezikshëm” e konsideron presidenti amerikan Xho Bajden, vendimin e Gjykatës së Lartë në Shtetet e Bashkuara të hënën, që i dha imunitet të pjesshëm ndaj ndjekjes penale ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë, Donald Tramp. Një vendim që do të vlejë tashmë për të gjithë presidentët dhe ish-presidentët amerikanë.

“Vendimi e thotë qartësisht se praktikisht nuk ka kufij për atë se çfarë një president mund të bëjë.”

Në vendimin e të hënës të Gjykatës së Lartë shkruhet se presidenti ka imunitet ndaj ndjekjes penale për çdo veprim zyrtar, por nuk gëzon imunitet për veprime jozyrtare. Opinioni i Gjykatës së Lartë u kërkua veçanërisht për sulmin e mbështetësve të Trampit ndaj Kongresit më 6 Janar 2021, për të përcaktuar nëse ish-presidenti ka imunitet për nxitje të revoltave të mbështetësve të tij për të përmbysur rendin kushtetues.

Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, për këtë çështje duhet të vendosin gjykatat penale. Marrja e një vendimi megjithatë, do të kërkojë muaj dhe pritet të jepet pas zgjedhjeve presidenciale të 5 Nëntorit, ku Tramp duket favorit për t’u rizgjedhur president.

Kjo bëri që vetë Donald Tramp ta përshëndesë vendimin që u mor nga shumica prej 6 anëtarësh republikanë të Gjykatës së Lartë, kundrejt 3 demkoratëve që votuan kundër.

Tv Klan