Sulmet e tij ndaj rivalit republikan të zgjedhjeve presidenciale, Joe Biden i ka përqëndruar në krijimin e një imazhi për Donald Trumpin si një politikan që rrezikon demokracinë perëndimore.

Si shembull për këtë, gjatë një takimi me mbështetësit në Filadelfia, Biden solli pritjen që Donald Trump i bëri kryeministrit hungarez Viktor Orban në rezidencën e tij në Mar a Lago të Floridas.

“A e dini se kë takoi ai në Mar a Lago? Orbanin e Hungarisë, i cili e tha haptazi se nuk beson se demokracia funksionon por kërkon diktaturë“.

Biden e etiketoi Orbanin si të vetmin lider europian që ruan marrëdhënie të mira me Vladimir Putin e sanksionuar nga Perëndimi për luftën në Ukrainë dhe që minon përpjekjet europiane për të ndihmuar financiarisht ushtrinë ukrainase përballë sulmit rus, ashtu siç po veprojnë në Shtetet e Bashkuara edhe republikanët e Trumpit.

Sipas mediave amerikane, gjatë takimit me Orbanin, Trump e cilësoi Kryeministrin hungarez si një lider madhështor dhe fantastik, ndonëse edhe nga Brukseli, ai akuzohet për shkelje të parimeve demokratike.

Tv Klan