Pas mesazheve të Donald Trump për afrimin e fundit të konfliktit me Iranin, çmimet e naftës së papërpunuar pësuan rënie të ndjeshme, ndonëse jo në nivelet para konfliktit. Presidenti amerikan kërcënoi për ashpërsimin e sulmeve nëse Irani mbyll ngushticën e Hormuzit.

Bursat e naftës së papërpunuar reaguan pozitivisht pas mesazheve qetësuese mbi sulmin amerikano–izraelit që përcolli presidenti amerikan Donald Trump, i cili tha të hënën se pjesa më e madhe e objektivave ishin arritur, çka u interpretua si paralajmërim se fundi i luftës mund të ishte afër.

Në bursat e referencës, të Teksasit dhe Londrës, çmimet ranë në rreth 89 dhe 92 dollarë për fuçi, një reduktim me deri në 29 dollarë nga kulmi i arritur më 8 mars. Megjithatë, çmimi mbetet më i lartë se në javën para sulmeve ndaj Iranit.

Reagime pozitive pati edhe në bursat europiane dhe ato aziatike, ku vlera e përgjithshme e aksioneve shënoi rritje të lehtë.

Megjithatë, në një postim në rrjetin privat social Truth, shefi i Shtëpisë së Bardhë kërcënoi ashpër Republikën Islamike, e cila paralajmëron vazhdimisht me mbylljen e ngushticës së Hormuzit nëse sulmet vazhdojnë.

“Nëse Irani bën ndonjë gjë që bllokon rrjedhën e naftës në Ngushticën e Hormuzit, ata do të goditen nga Shtetet e Bashkuara 20 herë më fuqishëm se deri më tani”, tha Trump.

Tensionet në kanalin e Hormuzit, nga ku transportohet 20% e naftës globale, kanë detyruar vendet kryesore prodhuese si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara apo Kuvajti të reduktojnë drastikisht prodhimin.

Tv Klan

/tvklan.al