Holandezët në protesta kundër shtetrrethimit

Rënie të ndjeshme pësuan shifrat e pandemisë në vende problematike si Britania e Madhe e Gjermania. Shumë vende si Gjermania, Holanda, Italia, etj, kanë ndaluar fluturimet me Britaninë e Madhe apo Afrikën e Jugut nga e kanë origjinën variantet e reja të koronavirusit. Më ekstrem me masa është Izraeli që ka ndaluar gjithë fluturimet me jashtë.

Ndërsa holandezët nuk e kanë pritur mirë nisjen e orarit të shtetrrethimit si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Protestat e nisura gjatë fundjavës në gjithë vendin shënuan ditën më të dhunshme këtë të Hënë në Eindhoven. Protestuesit sulmuan policinë me fishekzjarrë ndërsa sulmuan e plaçkitën dyqane e biznese. Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë manifestuesit. Mbi 200 protestues u arrestuan, ndërsa kryeministri Mark Rutte i quajti tubimet ‘kriminale’ që nuk kanë asnjë lidhje me protestat.

Shtetrrethimi nis nga ora 21:00 në darkë deri në 04:30 të mëngjesit. Kush nuk bindet paguan 95 Euro gjobë. Holandezët nuk janë përballur që prej Luftës së Dytë Botërore me shtetrrethim, por qeveria e pa të arsyeshme për shkak të shifrave të larta të infektimeve që kanë prekur rekorde të vazhdueshme që prej Dhjetorit.

Tv Klan