13 nëntor 2026– Gazeta gjermane “Bild” ka zbuluar disa detaje nga negociatat që po zhvillohen për t’i dhënë fund luftës me Ukrainën.
Kushtet e Putinit janë që të mos ketë trupa evropiane në Ukrainë, që Rusia të mbajë territoret e pushtuara dhe të fitojë kontrollin e të gjithë Donbasit.
Moska kërkon gjithashtu lëvizjen e lirë të anijeve ruse në Detin e Zi dhe Detin Baltik dhe demilitarizimin e plotë të porteve ukrainase. Në këmbim, Moska do të tërhiqte trupat e saj nga Transnistria dhe do të hiqte armët bërthamore nga Bjellorusia.
Rusia ka kërkuar në bisedimet e Abu Dhabit që Finlanda të largohet nga NATO dhe të rikthehet në statusin e saj të mëparshëm dhe që Moldavia të riorganizohet në tri republika, të cilat, sipas Rusisë, nëse vendi do të bëhej anëtar i BE-së, dy prej tyre do të ishin në gjendje të ruanin pavarësinë e tyre.
Sipas Bild, negociatorët rusë e diskutuan planin e tyre në kuadër të rendit të ri të sigurisë evropiane.
Por Kremlini e ka mohuar që të ketë bërë propozime të tilla.
Sakaq, është vendosur që në bisedimet mes Kievit dhe Moskës për fundin e luftës, veç ndërmjetësuesve amerikanë, në tryezën e negociatave të ulen edhe përfaqësues evropianë.
Pasi e pranoi të enjten Vladimir Putin, këtë arritje e konfirmoi edhe Volodymyr Zelensky pas takimit gjatë natës në Dublin me Jared Kushner dhe Steve Witkoff, të dërguarit e Donald Trump për paqen në Ukrainë.
Arritja tjetër e madhe e takimeve të Abu Dhabit është dakordësia për shkëmbimin më të madh të të burgosurve të luftës, që do të kthejë mijëra persona pranë familjeve.
Palët lanë të hapur kalendarin e bisedimeve të radhës, por problemi kryesor tani mbeten lëshimet territoriale që Rusia kërkon nga Ukraina.
TV Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 