Ish-Presidenti Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, Hillary Clinton, pranuan të dëshmojnë në hetimin e Kongresit amerikan për Jeffrey Epsteinin. Ky vendim erdhi vetëm pak ditë përpara një votimi kritik që mund t’i shpallte ata si “përbuzës të Kongresit”. Termi përdoret për ata që refuzojnë thirrjet e Kongresit për dëshmi, të cilët, sipas ligjeve, mund të ndiqen edhe penalisht, duke rrezikuar gjobitje e deri në burgim për mosbindje ndaj ligjvënësve.

Thirrja vjen pas publikimit të miliona dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë, ku Bill Clinton shfaqet në disa foto të vjetra në rezidencat e Epstein, përfshirë imazhe në një pishinë dhe një vaskë të nxehtë. Ndonëse Clinton ka mohuar çdo dijeni për krimet e Epstein, komisioni hetimor kërkon të sqarojë udhëtimet e tij me avionin privat të financierit dhe rolin e Hillary-t në luftën kundër trafikimit seksual gjatë kohës që ishte Sekretare Shteti.

Media si New York Post kanë ngritur dyshime se Jeffrey Epstein mund të ketë qenë agjent i Vladimir Putinit. Emri i Vladimir Putinit përmendet mbi 1 mijë herë në dokumente. Sipas mediave, rezulton se ish-bankieri ka bërë disa përpjekje të dëshpëruara për t’u takuar me Putinin që nga viti 2013 deri kur ndërroi jetë. Epstein ka shprehur interes për investime në Rusi, ndoshta edhe për t’u arratisur nga hetimet në Shtetet e Bashkuara, por nuk dihet nëse ata janë takuar ndonjëherë.

Mes këtyre dyshimeve, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, kërkoi nisjen e hetimeve për lidhjet e mundshme mes Putinit dhe Epsteinit.

Klan News

/tvklan.al