21 shoqata kërkojnë ndryshimin e mënyrës se vjeljes së detyrimeve

Një udhëzim i ri për mënyrën e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, i cili i jep të drejtë tatimeve të bllokojnë edhe llogaritë bankare të aksionerit, ortakëve dhe administratorit, në momentin që nuk është bërë derdhja e plotë e shumës që kompania është debitore ndaj tatimeve, ka sjellë kundërshtimin e 21 shoqatave të biznesit që operojnë në Shqipëri, 4 prej të cilave me investitorë të huaj.

Përmes një letre dërguar ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, dhomat e sipërmarrësve kërkojnë ndryshimin e këtij udhëzimi duke hequr bllokimin e llogarive bankare personale të ortakëve dhe administratorit, vetëm nëse do të jetë një vendim gjykate që i jep të drejtë administratës tatimore transferimin e detyrimit.

Në gjykimin tonë, formulimi aktual i udhëzimit lë hapësira për abuzim nga ana e autoriteteve tatimore, pasi krijon idenë se këta të fundit kanë të drejtën të japin urdhra bllokimi pa patur fillimisht një vendim të gjykatës së formës së prerë.”

Bizneset shprehen se udhëzimi bie në kundërshtim me ligjin për “Shoqëritë tregtare”, i cili nuk jep përgjegjësi për detyrimet e një entiteti më vete siç është një shoqëri biznesi, duke vjelë nga llogaritë personale të aksionarit dhe administratorit, përveçse kur vërtetohet abuzimi i tyre në dëm të shoqërisë.

Në fund të vitit 2019-ë, borxhet që bizneset kanë ndaj administratës tatimore arritën në 1 miliard e 170 milion dollarë, afërsisht sa 10% e prodhimit kombëtar të vendit.

Tv Klan