Bizneset: Përjashtimi nga renta minerare ndihmon industrinë vendase



Bizneset: Përjashtimi nga renta minerare ndihmon industrinë vendase

17:05 15/01/2021

Kundërshtojnë kthimin nga Presidenti të ligjit për “taksat kombëtare”

Kthimi për rishqyrtim në kuvend nga ana e presidentit Ilir Meta, të ligjit për taksat kombëtare, i cili përjashton metalet e kromit dhe bakrit që përpunohen në vend për 3 vjet nga renta minerare, shihet nga prodhuesit vendas si një akt që po dëmton industrinë shqiptare.

Për ne çdo ditë që e vonon këtë lehtësi në kushtet e pandemisë ku ndodhemi është kosto dhe humbje kohe. Presidenti të konsultohej me ne”, thotë Arben Shkodra.

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë është iniciatori i kësaj mase lehtësuese, ku përveç përjashtimit të kësaj industrie nga renta minerare ka kërkuar në maj edhe disa lehtësi të tjera të cilat nuk janë pranuar nga ekzekutivi.

Arben Shkodra thotë se në asnjë rast ligji nuk është klientelist, pasi stimulon rritjen e investimeve në industrinë vendase dhe punësimin, duke rritur vlerën e shitjes në tregjet jashtë të mineraleve të përpunuara.

“Nuk ka pse shitet për disa herë më pak, kur e përpunuar shitet jashtë me çmim më të shtrenjtë. Këtë të ardhur e përfiton industria vendase, vendet e punës në Shqipëri, dhe jo Kina apo shtete të tjera afër nesh që marrin pasurinë tonë, e përpunojnë dhe fitojnë nga kjo”, shton ai.

Bashkimi i Prodhuesve thotë se ligji nuk është klientelist, ndërsa sqaron se janë 19 biznese që kanë investuar në fabrika rreth 140 milion euro në industrinë vendase dhe punësojnë 2200 punëtorë.

Kemi miliona euro investime, nëse marrin të ardhura investohen në Shqipëri”, vijon Kodra.

Kreu i Shtetit ktheu për rishqyrtim nismën e kuvendit me arsyet se bie ndesh me kushtetutën dhe parimet e lirisë ekonomike, pasi krijon lehtësi fiskale për një kategori të caktuar industrish në vend, sipas tij me baza klienteliste. Renta minerare varion nga 4 deri në 10% e vlerës se mineralit që eksportohet sipas llojit të metalit.

Tv Klan







Të ngjashme