I ndërtuar në vitet ’70, por i rindërtuar në fillim të viteve 2000, Tajvani, godina emblematike në zemër të Parkut Rinia, që shërbeu si pikë referimi jo vetëm për kryeqytetasit, por dhe për të gjithë vizitorët dhe turistët, nuk do të jetë aty për shumë gjatë.
Në këtë hapësirë do të ngrihet, me një investim privat, Tirana Fountain Plaza, sipas projektit të “Bjarke Ingels Group”, i cili u shpall fitues i konkursit ndërkombëtar, ku morën pjesë edhe 4 studio të tjera.
Kryeministri, që është vendosur shpesh në shënjestrën e akuzave për betonizimin me kulla të kryeqytetit, garanton se asnjë centimetër e parkut aktual nuk do të preket, por falë këtij projekti, sipas tij, do të rigjenerohet.
“Jemi praktikisht në një kohë kur nevojat janë shumë më të mëdha dhe ambiciet janë shumë më të mëdha dhe, si jo pak projekte të tjera, ky është një projekt i sipërmarrjes private në një pronë private. Është një projekt që, për arsye se zhvillohet në zemër të parkut, brenda perimetrit të pronës private, aty ku aktualisht jemi në kushtet që duhet rindërtuar, por nga ana tjetër ndërtimi do të ketë një impakt të rëndësishëm në gjithë hapësirën përreth, po zhvillojmë një konkurs ndërkombëtar, duke ia besuar në radhë të parë një mundësie zgjedhjeje të gjerë vendimin për cila do të jetë mënyra sesi do të rikonceptohet dhe rizhvillohet Tajvani dhe, nga ana tjetër, duke besuar shumë fort që me arkitektët që i janë vënë në dispozicion kësaj sfide do të kemi mundësi të bëjmë një zgjedhje e cila të jetë më e mira e mundshme për zhvillimin e asaj prone, por dhe për vetë kryeqytetin.”
Rama nuk pranon akuzën se me këto ndërtime të reja po fshihet historia e qytetit dhe humbet trashëgimia.
“E kundërta është e vërtetë. Edhe këtu, në rastin e parkut, ne jemi përpara një cope historie, por nga ana tjetër jemi përpara një pjesë të asaj cope ku gjatë historisë ka pasur një transformim dhe transformimi ka ndodhur qysh në kohën e komunizmit, kur edhe vetë komunistët e panë të arsyeshme që aty të ndërtojnë diçka dhe pastaj më pas, kur zhvillimi ekonomik në kushtet e ekonomisë së tregut solli domosdoshmërinë që ai ndërtim të transformohet dhe pastaj përsëri, kur kushtet e reja kërkojnë një transformim të ri. Ndërkohë që është shumë e qartë edhe në perimetrin e përcaktuar nga konkursi që çfarëdo që do të vendoset dhe çfarëdo që do të zhvillohet, do të duhet të rivlerësojë dhe të ndikojë në rigjenerimin e edhe të vetë Parkut, pa prekur asgjë që aty natyra ka si prani, por duke shtuar.”
Rama i përgjigjet edhe akuzave të tjera që së fundmi i kanë ardhur në formën e pyetjeve, thotë ai, nga një gazetar, që sipas tij lidhen me mungesën e transparencës për miratimin e këtyre ndërtesave shumëkatëshe dhe për përfshirjen e arkitektëve ndërkombëtarë.
“Nëse ka vendimmarrje transparente, nëse ka vendimmarrje të bëra me një ndjenjë të fortë përgjegjësie, por njëkohësisht edhe me një dëshirë të madhe për të arritur në një vendimmarrje më të mirë, janë pikërisht vendimmarrjet e këtyre konkurseve, ku faktikisht shumica e jurisë janë arkitektë, janë urbanistë, janë profesorë, akademikë të njohur, të cilët janë tërësisht të lirë që të vendosin për projektet dhe ku, siç e tregojnë të gjitha shënimet e jurive, nga ana e palës shqiptare, që është në minorancë, asnjëherë nuk ka një orientim apo një ndikim mbi jurinë që ta detyrojë jurinë që të marrë një vendim ndryshe nga ai që vjen natyrshëm nga mendimi profesional.
Arkitektët e huaj vijnë në Shqipëri për të bërë ‘art washing, bulldozer politics’ dhe për të realizuar gjëra që janë jashtë standardeve. Ndërkohë që e vërteta është krejt e ndryshme. Ne kemi pasur vazhdimisht diskutime mbi rregullimin, kemi pasur vazhdimisht diskutime për shumë pengesa që kanë dalë në rrugën e zhvillimit urban dhe të zhvillimit arkitektonik në vende europiane, por kjo nuk do të thotë që ne në Shqipëri ndërtojmë pa rregulla, apo ne në Shqipëri bëjmë diçka që në vendet e tjera do të ishte e papranueshme dhe e palejueshme dhe dua ta mbyll këtë hyrje duke thënë që, në fakt, ka diçka shumë të qartë për mua, në gjithë këtë qasje agresive ndaj gjithë këtij procesi, ndaj gjithë këtyre projekteve, që është xhelozia.
Është xhelozia e njerëzve mediokër dhe e njerëzve të cilët kapen pas nacionalizmit, kapen pas pasaportës, kapen pas faktit që janë pjesë e komunitetit lokal dhe nuk kapen pas profesionit, pas argumenteve dhe pas mundësisë për të qenë konkurrues, ndërkohë që janë shumë arkitektë dhe janë shumë profesionistë të rinj shqiptarë, të cilët janë pjesë e këtij transformimi dhe janë pjesë e punës me arkitektët e huaj dhe kjo e bën Shqipërinë jo vendin ku arkitektët vendas përjashtohen, po e bën Shqipërinë vendin ku arkitektët vendas kanë mundësi shumë më shumë se në vende të tjera që të rriten profesionalisht, duke punuar me arkitektë që janë në nivelin më të lartë sot të mendimit dhe të punës në këtë profesion të jashtëzakonshëm.
Sot Shqipëria dhe Tirana janë ‘universiteti’ më i madh i hapur në natyrë i arkitekturës. Sot arkitektët e rinj shqiptarë kanë mundësi që të takojnë, që të ndjekin, që të punojnë konkretisht me mjeshtra.”
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 