Banka Kombëtare Tregtare, institucioni financiar më i madh në vend, kremtoi 100-vjetorin e rrënjëve të saj me një mbrëmje gala organizuar në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ceremonia mblodhi personalitete të larta të shtetit, drejtues të aksionarit të vetëm Çalik Holding, drejtues të institucioneve financiare, partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, trupën diplomatike, sipërmarrës, klientë dhe bashkëpunëtorë të bankës.

“Që nga themelet e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e themeluar në vitin 1925, sot ekzistojnë dy institucione të mëdha financiare: Banka e Shqipërisë si banka qendrore dhe BKT si banka më e madhe tregtare, me rreth 25% pjesë tregu në Shqipëri dhe 15% në Kosovë. Ka pasur shumë ulje-ngritje si për shqiptarët në të dy vendet, ashtu edhe për BKT-në gjatë 100 viteve të fundit, por sot kemi një bankë të klasit botëror dhe një vend në prag të anëtarësimit në BE”, tha Seyhan Pencabligil, drejtor i përgjithshëm dhe anëtar i bordit të BKT-së.

Kryetari i Bordit tha se Banka Kombëtare Tregtare ka udhëhequr jetën ekonomike të Shqipërisë dhe është shndërruar në një simbol të zhvillimit, besimit dhe stabilitetit.

“Banka Kombëtare Tregtare ka udhëhequr jetën ekonomike të Shqipërisë dhe është shndërruar në një simbol të zhvillimit, besimit dhe stabilitetit. Sot BKT po ndërton një të ardhme të re mbi një trashëgimi të gjatë; ajo po lidh 100 vitet e historisë me inovacionin dixhital, duke vendosur në qendër qëndrueshmërinë dhe kontributin në komunitet”, tha Mehmet Usta, kryetar i bordit të BKT-së.

I pranishëm në ceremoni, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se një nga kontributet më të vlerësuara të BKT-së është edhe puna e saj në përfshirjen financiare.

“Një nga kontributet më të vlerësuara të BKT-së është edhe puna e saj në përfshirjen financiare: zgjerimi i aksesit në shërbime, besueshmëria në komunitet dhe edukimi i klientëve për përdorimin e instrumenteve bankare moderne. BKT-ja është gjithashtu një motor i rëndësishëm i inovacionit, me investime të mëdha në digjitalizim, në produkte moderne të pagesave dhe në shërbime bankare që lehtësojnë qasjen e qytetarëve në financa”, tha Gent Sejko, guvernator i Bankës së Shqipërisë.

BKT është banka më e madhe në Shqipëri me një total aktivi prej rreth 7 miliardë dollarësh në baza të konsoliduara grupi bankar në fund të dhjetorit 2024, duke zotëruar gjithashtu 25% të aseteve totale të sistemit bankar në Shqipëri. Ajo operon në Shqipëri nëpërmjet 62 degëve dhe agjencive dhe u shërben më shumë se 800,000 klientëve me produkte dhe shërbime novatore. Grupi BKT përfshin Bankën Kombëtare Kosovë me 25 degë dhe Institucionin e Parasë Elektronike BKT Pay.

Në sajë të performancës së saj të lartë, BKT është vlerësuar ndër vite me çmime të ndryshme prestigjioze, si “Banka më e Mirë në Shqipëri” nga institucione të mirënjohura në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Tv Klan

/tvklan.al