Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila udhëheq edhe qeverinë është mbledhur mbrëmjen e së enjtes, një ditë pasi zyra e prokurorit të specializuar publikoi akuzat për Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.

Gazetarja e Tv Klan në Prishtinë, Blerta Dalloshi Berisha, në një lidhje me emisionin “Opinion”, tha se nuk dihet ekzaktësisht se për çfarë po diskutohet në mbledhjen e LDK-së, por më herët kryetari Isa Mustafa i ka bërë thirrje të gjithë spektrit politik të mblidhet për të unifikuar qëndrimin përballë Serbisë.

Dalloshi Berisha po ashtu tha se është në pikëpyetje se a duhet të japë dorëheqjen Presidenti i Kosovës Hashim Tahçi, apo jo?

Blendi Fevziu: Mora vesh që LDK ka hyrë në një mbledhje rreth orës 21:00. Për Çfarë po diskutohet aktualisht?

Blerta Dalloshi Berisha: Po LDK ka hyrë në një mbledhje, ku nuk janë ftuar mediat, por ajo që mund të pretendojmë është që Kryetari i LDK, Isa Mustafa, paradite nëpërmjet një statusi në Facebook, ka ftuar të gjithë spektrin politik dhe institucional që të mblidhen bashkë para një takimi me palën serbe dhe të merren vesh se si do të vazhdojë me tutje pas akuzave ndaj Presidentit Hashim Thaçi nga ana zyra e prokurorit të specializuar. Thotë se institucionet e Kosovës duhet të jenë funksionale. Tash është në pikëpyetje se a duhet të japë dorëheqjen Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, apo jo, në rast se jep dorëheqjen meqë për të nënshkruar një marrëveshje eventuale mes Kosovës dhe Serbisë duhet edhe firma e Presidentit. Në rast se Presidenti jep dorëheqje, atëherë pas dy muajsh ose 10 ditësh mund të dalë gjykata speciale dhe të hedhë poshtë akuzat e prokurorisë, kështu që i bie që vetëm të sakrifikohet. Në anën tjetër, në rast se nuk jep dorëheqjen, mbeten peng pak a shumë institucionet dhe negociatat, dhe për këtë LDK është duke insistuar që të merren vesh se si do të veprojnë faktori politik në Kosovë në të ardhmen që të jetë sa më stabil dhe unik përballë Serbisë./tvklan.al