Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë vizitës në Kinë u takua me presidentin kinez Xi Jinping dhe zyrtarë të lartë kinezë.

Lideri kinez përmendi faktin se mes tensioneve në rritje mes dy vendeve, Kina dhe SHBA duhet të jenë “partnerë, jo rivalë” dhe të shmangin përfshirjen në atë që cilësohet si konkurrencë e egër.

“Bota po përballet me ndryshime dhe evolucion të jashtëzakonshëm. Situata globale po ndryshon vazhdimisht. Me dialogun në rritje Kinë-SHBA, menaxhimi i dallimeve dhe promovimi i bashkëpunimit, nuk është vetëm diçka që njerëzit e të dy vendeve duan të shohin, por edhe ajo që pjesa tjetër e botës kërkon.”

Blinken zhvilloi bisedime me ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi dhe ministrin e Sigurisë Ëang Xiaohong.

“Ne jemi të përkushtuar të ruajmë dhe forcojmë linjat e komunikimit mes nesh, në mënyrë që të dyja palët të parandalojnë çdo keqkomunikim, çdo keqkuptim dhe çdo llogaritje të gabuar.”

Më herët, Blinken dhe Wang nënvizuan gjithashtu rëndësinë e mbajtjes së linjave të komunikimit të hapura, teksa dallimet mes dy vendeve kërcënojnë sigurinë globale. Këto u theksuan në fillim të kësaj jave kur presidenti i SHBA, Joe Biden nënshkroi një projekt-ligj të ndihmës për Tajavanin që përmban disa elementë që kinezët i shohin si problematikë.

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u shpreh se marrëdhënia Kinë-SHBA ka filluar të stabilizohet, por disa faktorë negative ende lënë vend për t’u diskutuar. Komentet e tyre lanë të kuptohet për një listë të gjatë dallimesh për t’u diskutuar, duke përfshirë Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore, tregtinë dhe të drejtat e njeriut, mbështetjen e Kinës për Rusinë dhe prodhimin dhe eksportin e armëve.

Blinken theksoi se administrata Biden i jep përparësi dialogut SHBA-Kinë edhe vuri në dukje se kishte pasur disa përparime në vitin e kaluar, por bisedimet ende mbeten të vështira. Kina ka kundërshtuar ndihmën e SHBA-së për Tajvanin dhe e dënoi menjëherë ndihmën si një provokim të rrezikshëm.

Gjithashtu Sekretari amerikan i kërkoi Kinës të bëjë thirrje që të shmanget përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme.

Klan News