Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Diplomacia Shqiptare për herë të parë i është imponuar komunitetit ndërkombëtar lidhur me çështjen kombëtare me ndihmën e fuqishme të SHBA. Në deklaratën përfundimtare të samitit është shtuar paragrafi për Kosovën, të cilin e kishte kundërshtuar pala ruse, pjesmarrëse në takim. Pjesmarrësit në Samit i bënë thirrje popullit të Jugosllavisë të përqafoj ndryshimet demokratike dhe të punoj aktivisht për pajtimin në rajon.

Luftë ndërmjet policisë së Tiranës dhe grabitësve të 50 milion lekëve të dy kamistëve në Ndroq. Bilanci është tragjik për uniformat blu. Një helikopter i rrëzuar që ka sjellë vdekjen e policit 31-vjeçar nga Mallakastra Fadil Adushi dhe plagosjen e tre policëve të tjerë. Pas kërkimit të bandës është kapur çanta me paratë ndërsa të plagosurit ndodhen në spitalin Ushtarak.

Kompania amerikane që mori koncensionet e bakrit në Shqipëri, do të hap një mijë vende pune duke investuar 75 milion dollarë. Pas firmosjes së kontratës zyrtare ndërmjet tyre dhe ministrit Ylli Bufi sipërmarrësit amerikan u angazhuan se do të fillojnë ndërtimin e fabrikave brenda pak muajsh.

U rihapën dje zyrat e ushtrisë amerikanë në ambjentet e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë. Ka qenë kjo përgjigjja e menjëhershme e SHBA ndaj kërkesës zyrtare drejtuar numrit dy të ushtrisë së saj Luis Kaldera në lidhje me një qëndrim afatgjat të tyre në vendin tonë.

Nato nga Shtatori me 2500 trupa në Shqipëri. Lajmi është konfirmuar dje zyrtarisht nga zëdhënësi i trupave të AFOR. Sipas tij mbetet të diskutohet për një muaj statusi i këtyre trupave. Të gjitha projektet e marra përsipër nga Nato do të realizohen.

Parlamenti Shqiptar mbylli dje punimet për këtë sesion me diskutimin e statusit të ushtarakëve të liruar dhe deputetit. Ndërsa ministrja Ingrid Shuli është thirrur në interpelancë për ujësjellësat dhe problemin alarmant të ujit të pijshëm.

Në një vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit në 12 Shtator do të fillojnë protestat në mbarë vendin. Kështu janë angazhuar dje liderët e grupimit Bashkimi për Demokraci. Veç gjetjes së vrasjes së liderëve të dhjetorit ata pritet të protestojnë kundër krimit, korrupsionit e kontrabandës.

U krijua dje në divizionin e Shijakut kompania multietnike ku Shqipëria do të prezantohet me një togë. Ajo do të jetë e gatshme të marrë pjesë në operacionet me karakter mbrojtës në vendet e Ballkanit. Në Flloq ku ishin krerët më të lartë të ushtrisë u zhvillua dhe një stërvitje e madhe luftarake.

Arratisje spektakolare nga burgu i një të dënuari. Ngjarja ka ndodhur në burgun e Lushnjes kur dy gardian kanë shkelur rregullat e shërbimit./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori