Dita e Europës ishte një ditë e mirë për ambasadorin e delegacionit të BE-së në Tiranë dhe kryeministrin, jo vetëm për të festuar dhe prezantuar aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të javës së Europës, por edhe për të risqaruar tymnajën e përhapur për statusin aktual të procesit të negociatave. Të dy, si Rama edhe Gonzato, thonë se nuk ka bllokim pavarësisht spekulimeve, ndërsa shpjegojnë se cila është procedura standarde që ndiqet nga ambasadorët e vendeve anëtare përpara se të shprehen për raportin e përgatitur nga KE. Të dy kujdesen të theksojnë se raporti është pozitiv për Shqipërinë.
“Kam dëgjuar spekulime për atë që po ndodh në Bruksel. Së pari, grupi i punës COELA është grup pune që bashkon përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së, mblidhen me dyer të mbyllura në praninë e KE-së për të diskutuar. KE i ka dorëzuar këtij grupi pune raportin e IBAR, për të parë nëse Shqipëria i ka përmbushur piketat e ndërmjetme që të kalojë në fazën tjetër, që është mbyllja e kapitujve. Raporti ka bërë vlerësim pozitiv. Nuk hidhet në votë, ato vetëm e diskutojnë. Ajo që duhet të bëjnë, nën udhëheqjen e Këshillit, është të miratojnë një qëndrim të përbashkët të BE-së që do të shpjegojë piketat përmbyllëse që duhet të plotësojë Shqipëria për mbylljen e negociatave”, tha Gonzato.
“Komisioni Europian i konsideron të përmbushura detyrat e Shqipërisë për këtë fazë dhe për të ashtuquajturat piketa të ndërmjetme. Tani është Komisioni që po diskuton me shtetet anëtare dhe të thuash këtu ‘u bllokua nga X-i apo nga Y-i’ është të shesësh ajër. Dhe kush beson se ajri blihet, e blen. ‘Garancitë’ është njësoj si të thuash kur shkon në një luftë çfarë garancish ke që do ta fitosh luftën? Lufta fitohet duke luftuar”, u shpreh Rama.
Si Rama ashtu edhe Gonzato artikuluan të njëjtin qëndrim, edhe pse me fjalë të ndryshme, se kërkohet një shtet i së drejtës për çdo vend që aspiron anëtarësimin në BE. Procesi i integrimit fillon dhe mbaron me garantimin e të drejtave themelore: luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës, që është me rëndësi për vendin dhe rajonin. Nuk ka rrugë të shkurtra drejt anëtarësimit, as shmangie të kritereve.
“Shumëkush e pikturon BE-në si një pengesë, si një barrë, si një perimetër që nuk të lejon të marrësh frymë lirisht. Por nuk ka gjë më larg të vërtetës dhe më të gabuar, sepse në fakt Bashkimi Europian garanton perimetrin e shtetit të së drejtës. Dhe shteti i së drejtës nuk mund të negociohet, por vetëm të respektohet kur e ke dhe të ndërtohet kur nuk e ke”, tha kryeministri.
I pyetur për atë që socialistët janë gati të lëshojnë në dy komisionet e posaçme për reformën territoriale dhe atë zgjedhore, kryeministri përsëriti parimin e tij në marrëdhëniet me kundërshtarët.
“Ne jemi të hapur të dëgjojmë me durim këdo që ulet në tryezë për të folur dhe për të dëgjuar. Imponime, ultimatume dhe qëndrime të paracaktuara nuk funksionojnë me mua dhe me ne. Ne jemi shumë të interesuar për të ulur numrin e deputetëve të parlamentit dhe uroj që të ketë konsensus në këtë drejtim për ta racionalizuar këtë gjë. Pastaj çdo diskutim tjetër është i hapur. Ndërkohë, për sa i përket reformës administrative territoriale, procesi është zhvilluar në mënyrë gjithëpërfshirëse në territor. Janë bërë dëgjesa, janë bërë diskutime”.
Fakti që partia e tij i kërkoi votat nga shqiptarët vitin e shkuar duke tundur flamurin e BE-së, dhe që sipas tij është e vetmja forcë që e ka bërë këtë në Europë, është tregues se objektivi i vetëm i shumicës së tij është të ecë sipas axhendës: 2027, mbyllja e procesit teknik dhe 2030, anëtarësimi i plotë. Vendimmarrja finale është në dorën e institucioneve në Bruksel.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 