Britania e Madhe po përballet me mot ekstrem për shkak të stuhisë Goretti.

Në Midlands dhe Uells parashikohet që bora të arrijë deri në 25 centimetra, ndërsa në disa zona mund të shkojë deri në 30 centimetra.

Meteorologët e cilësojnë stuhinë Goretti shumë të rrezikshme, me reshje shiu, borë dhe erëra të forta. Autoritetet pararalajmërojnë për vonesa dhe anulime të transportit publik, mbyllje rrugësh, si edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Autoritetet shëndetësore janë në gatishmëri të lartë deri më 11 janar.

Qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë ditëve në vijim.

Në Holandë, rreth 1 mijë pasagjerë u detyruan të kalojnë natën në aeroportin Schiphol të Amsterdamit, pas anulimeve masive të fluturimeve.
Autoritetet vendosën qindra shtretër brenda dhe jashtë zonave të sigurisë së aeroportit dhe shpërndanë për pasagjerët jastëkë, batanije, ushqim dhe pije.

Reshjet e dendura të borës dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë Belgjikën që prej së mërkurës, duke shkaktuar kaos në mbarë vendin.

Shërbimi meteorologjik belg ka lëshuar një paralajmërim portokalli, niveli i dytë më i lartë i alarmit, për reshje të dendura dëbore në disa zona.

Qytetarët janë këshilluar të shmangin daljet nga shtëpitë dhe të bëjnë kujdes gjatë udhëtimeve me makina.

Aeroporti i Brukselit ka raportuar vonesa në nisjet dhe mbërritjet e fluturimeve, pasi pista e avionëve bllokohet herë pas here nga dëbora.

Në Danimarkë, autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët që të kenë kujdes për shkak se priten reshje të dendura dëbore, edhe pse aktualisht situata nuk paraqitet problematike.
Në një deklaratë zyrtare, autoritetet thanë se po monitorojnë nga afër gjendjen në terren.

Edhe Parisi është prekur nga moti i keq, ku u raportuan vonesa në transportin publik, përfshirë edhe anulimin e qindra fluturimeve.

Klan News

/tvklan.al