Futbolli u dorëzua përballë motit të keq në Valencia. Ndeshja mes Levantes dhe Athletic Bilbaos, e vlefshme për javën e gjashtë të La Ligës, nuk mundi të zhvillohej në stadiumin “Ciutat de València”.

Të dyja skuadrat dolën në fushë dhe zhvilluan nxehmjen, por reshjet e dendura që përfshinë qytetin pak para startit e bënë terrenin tërësisht të papërshtatshëm për futboll.

Uji mbuloi pjesën më të madhe të fushës, ndërsa pamjet nga stadiumi treguan edhe situatën e pazakontë në ambientet e brendshme.

Tuneli që lidh dhomat e zhveshjeve me fushën ishte mbushur me ujë, duke e bërë praktikisht të pamundur daljen e lojtarëve në terren.

Pas kontrolleve të kryera nga La Liga dhe ekipi i arbitrave, gjyqtari vendosi që sfida të shtyhej, pasi fusha nuk plotësonte kushtet e nevojshme për zhvillimin e ndeshjes.

Data e re e përballjes Levante-Athletic Bilbao do të përcaktohet në vijim nga La Liga, në marrëveshje me të dyja klubet.

Klan News

/tvklan.al