16 nëntor 2026- Policia e Tiranës ka vendosur 23 gjoba ndaj qytetarëve që morën pjesë në tubimin e zhvilluar pasditen e djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Policia thotë se qytetarët kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e automjeteve, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të efektivëve përmes megafonit që të lirohej rruga.

Për këtë është plotësuar procesverbali përkatës dhe është vendosur gjobë në vlerën 5 mijë lekë.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve, gjatë tubimit të djeshëm, vendosen 23 masa administrative.

Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 23 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative, për shtetas të cilët gjatë tubimit të zhvilluar pasditen e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit.

Për secilin prej tyre është vendosur masa administrative gjobë me vlerë 5 000 lekë.

/tvklan.al