Në mbrëmjen e sotme të “Blue”, moderatori Bledi Strakosha interviston aktoren e mirënjohur Monika Lubonja.

Aktorja rrëfen se ka patur një fëmijëri mjaft të vështirë, çka e ka bërë të fortë.  I ati i saj, Koçi Lubonja, me profesion jurist, kishte bindje komuniste, por ishte dhe idealist e rebel, ndaj dhe u kthye kundër sistemit. Si pasojë ai, bashkëshortja e tij mjeke dhe Monika përfunduan në Librazhd.

Pasioni i Monika Lubonjës që në vogëli ka qenë aktrimi dhe volejbolli. Ajo rrëfen si vendosi të ndjekë Institutin e Lartë të Arteve, peripecitë në konkurs, si dhe si e hoqën nga shkolla për shkak të një letre të të atit kundër sistemit komunist dhe vetë Enver Hoxhës. Arrestimi i tij la një shenjë në jetën e Monikës dhe të gjithë të afërmve.

Për të shpëtuar familjen e sidomos të bijën, Koçi Lubonja u shpall i sëmur mendor. Me kalimin e viteve, Monika Lubonja u bë pjesë e kryengritjeve.  Ajo interpretoi krahë pedagogëve, që ishin aktorët më të njohur të kinematografisë shqiptare, që në moshë të re, kur ishte ende në shkollë.

Artistja e guximshme, e cila nuk kishte frikë nga paragjykimet, xhiroi për herë të parë një skenë duke u puthur, edhe pse ky film nuk u transmetua kurrë. Ajo po ashtu rrëfen prapaskenat e filmit “Përdhunuesit”, ku kishte rolin e viktimës.  Sipas saj, shkaku që u largua nga kinematografia ishin klanet që u krijuan.

Ndaj më pas ia kushtoi jetën teatrit, ku përjeton më shumë emocione si nga vetë skena e kolegët, ashtu edhe nga reagimet e publikut.

Monika Lubonja rrëfen gjithashtu si lindi dashuria me ish-bashkëshortin, arsyet që e çuan drejt divorcit, si dhe marrëdhënien e tyre tanimë.

Aktorja e mirënjohur flet për ardhjen në jetë të vajzës së saj Teas, kur ishte ende studente, si dhe marrëdhënien e tyre të ngushtë./tvklan.al